Filluan të rrjedhin afatet ligjore, pas 10 ditësh mund të kontrolloni listën zgjedhore
Prej sot edhe zyrtarisht fillojnë të vlejnë afatet ligjore për zgjedhjet e 11 dhjetorit...

Prej sot edhe zyrtarisht fillojnë të vlejnë afatet ligjore për zgjedhjet e 11 dhjetorit. Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të gjitha afatet e caktuara me Kodin Zgjedhor shkurtohen për pesë ditë, përveç afatit për fushatë zgjedhore, e cila patjetër duhet të jetë 20 ditë.
KShZ ka kërkuar tashmë nga MPB të dhënat për qytetarët dhe nesër pritet përgjigjja e Ministrisë së Brendshme sipas afatit të parë ligjor.
Pas marrjes së të dhënave nga MPB, KShZ duhet të dorëzojë kërkesë në Ministrinë për Administratë Publike dhe Informatikë me të dhëna për të punësuarit në administratën shtetërore.
Në fund të muajit lista zgjedhore duhet të publikohet për shqyrtim publik dhe qytetarët kanë 15 ditë kohë të kontrollojnë nëse janë apo jo në këtë listë dhe të korrigjojnë çdo gabim eventual.
Muajin e ardhshëm, KShZ duhet të publikojë edhe përshkrimet e njësive zgjedhore, më pas listën zgjedhore ua dorëzon partive politike të cilat kanë pesë ditë afat ta shqyrtojnë dhe të dorëzojnë në KShZ kërkesat për regjistrim, plotësim apo fshirje të të dhënave.
Në fund të nëntorit, KShZ duhet të konfirmojë listën zgjedhore në bazë të së cilës do të votohet më 11 dhjetor.
Fushata zgjedhore fillon 20 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve dhe përfundon një ditë para mbajtjes së tyre.
Rezultatet e para zgjedhore KShZ i publikon në afat prej 12 orëve pas përfundimit të zgjedhjeve, ndërsa rezultatet përfundimtare në afat prej 24 orësh. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
