Maqedoni
Dialogu ndëretnik, bashkëjetesa - sfidë e madhe e Maqedonisë
18.10.2016 16:33
Ndërtimi i kulturës së bashkëjetesës vazhdon të jetë sfidë për gjithë shoqërinë...

Qytetarët kanë nevojë të motivohen, të mësojnë për gjuhën dhe fenë e njëri-tjetrit, u theksua në konferencën kushtuar përforcimit të kulturës së bashkëjetesës në Maqedoni.
“Dialogu mes bashkësive dhe institucioneve vendore është rruga e vetme për tejkalimin e të gjitha sfidave dhe e njëjta kontribuon në ndërtimin e bashkëjetesës cilësore”,- deklaroi drejtoresha e Agjencisë për të Drejtat e Etniteteve, Vesna Babiç-Petrovski.
Euroambasadori Zhbogar thotë se bashkëjetesa fillon pikërisht duke dialoguar me njëri-tjetrin dhe në këtë dialog, sipas tij, është i rëndësishëm bashkëpunimi mes pushtetit qendror dhe lokal dhe qytetarëve.
“Dialogu është kyç për çdo shoqëri multienike, liderët politikë dhe liderët e bashkësive duhet të kuptojnë se kanë një rol thelbësor në ruajtjen, ngritjen dhe nxitjen e besimit mes bashkësive etnike. Për këtë është me rëndësi bashkëpunimi i pushtetit qendror dhe lokal me shoqatat qytetare dhe përmes projekteve të zbatohen në terren praktikat e bashkëjetesës”,- tha ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.
Përmes fondeve IPA, Bashkimi Europian ka ndarë 1.8 milion euro për mbështetjen e tetë projekteve të karakterit nacional për zhvillimin e kulturës dhe bashkëjetesës në Maqedoni në kuadër të programit për mbështetjen e shoqërisë civile për periudhën 2016-2019.
REXHEP QAMILI
