Zyrtare: Largohet Mojs, në stol Giggs
Ai u transferua nga Evertoni gjatë merkatos së verës dhe nën drejtimin e tij, Mançester Junajtedi regjistroi një nga sezonet më të dobëta të 25 viteve të fundit……………..

Skocezi Dejvid Mojs edhe përfundimisht largohet nga stoli i Manchester United po mbushur ende një vit që nga marrja zyrtare e detyrës së vështirë për të pasuar Sir Aleks Fergusonin. Shefi ekzekutiv Ed Udvard zhvilloi një takim të shkurtër me trajnerin skocez duke marrë edhe vendimin për prishjen e kontratës.
Mojs ra dakord me këtë vendim duke falënderuar stafin, ndërsa lojtarët nuk ishin të pranishëm në stërvitje. Disa orë më parë, mediat britanike publikuan lajmin se një vendim të tillë e mori familja Glejzer që ka vendosur t’ia besojë skuadrën deri në fund të sezonit, uellsianit Rajan Giggs.
Pika që mbushi gotën e një sezoni katastrofik ishte disfata në transfertën e Evertonit me rezultatin 2:0 që i largoi “Djajtë e Kuq” edhe nga zona e Liga Evropa.
Sipas zërave të kohëve të fundit, njeriu më i kuotuar për t’u ulur në stolin e Junajtedit është Lui Van Gal, i cili do ta mbyllë zyrtarisht aventurën me kombëtaren e Holandës pas përfundimit të Kupës së Botës “Brazil 2014”.
Ndërkohë, Mojs që kishte një kontratë 6-vjeçare me shoqërinë, ka arritur marrëveshjen për një dëmshpërblim të pjesshëm.
Ai u transferua nga Evertoni gjatë merkatos së verës dhe nën drejtimin e tij, Mançester Junajtedi regjistroi një nga sezonet më të dobëta të 25 viteve të fundit.
Pavarësisht blerjeve të shtrenjta si Maruane Fellaini apo Huan Mata, Mançester Junajtedi dështoi në kampionat ku mbetet 13 pikë larg zonës së Ligës së Kampionëve, ndërsa gjithashtu u eliminua edhe këtë edicion në çerekfinale nga Bajern Munihu.
Junajtedi gjithashtu u eliminua edhe nga FA Kupa në raundin e tretë pas disfatës kundër Suonsit, ndërsa në “Capital One Cup” nuk arriti të shkonte më shumë se gjysmëfinalja ku u eliminua nga Sanderlendi. Nën drejtimin e Mojs, “Djajtë e Kuq” arritën 25 fitore, 15 barazime dhe 9 disfata.