Botë

Gara për Shtëpinë e Bardhë, Trump përplaset sërish me Obamën

19.10.2016 13:22

Kandidati republikan, Donald Trump, i është kundërpërgjigjur presidentit Obama, duke deklaruar se në rast se ai do zgjidhet president...

Kandidati republikan, Donald Trump, i është kundërpërgjigjur presidentit Obama, duke deklaruar se në rast se ai do zgjidhet president, do të thajë moçalin e korrupsionit që, sipas tij, ka pushtuar Uashingtonin. 
 
Miliarderi kontrovers nuk la pa sulmuar as rivalen e tij të drejtpërdrejtë, Hillary Clinton, duke e cilësuar këtë të fundit si personin më të korruptuar që ka garuar ndonjëherë për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë.
 
Trump përsëriti edhe njëherë akuzat se demokratët do të përpiqen që t’i manipulojnë zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më datën 8 nëntor.
 
“Ne do t’i japim fund korrupsionit qeveritar dhe do t’a thajmë këtë moçal që ka pushtuar Uashingtonin. Mund t’iu them pa frikë se Hillary Clinton është personi më i korruptuar që ka tentuar të garojë për të fituar presidencën. Sistemi është i manipuluar. Mjafton të shikoni donatorët e ndryshëm që kanë dhënë qindra miliona dollarë për Hillaryn. Ky nuk është një sistem i drejtë. Edhe sondazhet janë të manipuluara. Unë thjesht nuk kam më besim tek sondazhet”,- deklaroi kandidati republikan për president të ShBA-ve, Donald Trump.
 
Më herët, presidenti, Barak Obama, u shpreh se republikani duhet të ndalojë së ankuari. Obama u shpreh se shumica e komenteve të bëra nga Trump janë tejet të papërgjegjshme për një person që aspiron të zgjidhet president i amerikanëve.
 
“Nëse t’i fillon të ankohesh kur loja nuk ka përfunduar ende, pra ankohesh sa herë që diçka nuk shkon mirë, ndoshta nuk je personi i duhur për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë”,- tha presidenti i ShBA-ve, Barack Obama.
 
Obama shtoi se akuzat e Trumpit janë të pabaza, pasi zgjedhjet monitorohen nga guvernatorët e shteteve dhe jo nga Uashingtoni.
 
BELINDA KOKA-ADEMI