Botë
Lufta për Mosulin, ShBA: ISIS po i përdor civilët si mburojë
19.10.2016 13:42
ShBA ka akuzuar militantët e “Shtetit Islamik” se po përdorin qytetarët e thjeshtë si mburoja për t’i bërë ballë sulmeve të forcave ushtarake të Irakut...

ShBA ka akuzuar militantët e “Shtetit Islamik” se po përdorin qytetarët e thjeshtë si mburoja për t’i bërë ballë sulmeve të forcave ushtarake të Irakut, koalicionit ndërkombëtar anti-ISIS, si dhe grupimeve kurde në operacionet për çlirimin e qytetit të Mosulit.
Ekstremistët e organizatës terroriste edhe në të shkuarën kanë shfrytëzuar civilët për t’u arratisur. Luftëtarët e ISIS-it formojnë një autokolonë për të braktisur një territor ku pas përplasjeve të armatosura e kanë humbur betejën. Megjithatë, në vend që të dorëzohen, ata detyrojnë qytetarët që të rrethojnë grupimin e tyre, për t’i detyruar forcat kundërshtare që të mos sulmojnë.
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka ngritur shqetësimet për një eksod të mundshëm të civilëve në zonë, duke thënë se po përgatisnin planet dhe infrastrukturën për të menaxhuar një krizë të mundshme humanitare. Agjencia e OKB-së për refugjatët njoftoi se, rreth 900 persona ishin larguar nga Mosuli, duke kaluar kufirin për në Siri. Ky është grupi i parë i civilëve që arratisen prej nisjes së ofensivës të hënën.
Më herët, zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Davis, paralajmëroi se qytetarët po mbahen kundër vullnetit të tyre. Luftëtarët e ISIS-it po bëjnë rezistencë të fortë në disa zona dhe kanë publikuar video, që sipas tyre tregojnë militantët teksa hapin zjarr ndaj automjeteve të blinduara të koalicionit, që përbëhen nga 34 mijë pjesëtarë të sigurisë së Irakut, luftëtarë kurdë, paraushtarakë shiitë e luftëtarë fisnorë sunitë.Edhe pse lajmi për çlirimin e qytezës së afërt të Qaraqoshit u përgënjeshtrua nga një komandant i forcave qeveritare.
Koalicioni i drejtuar nga Amerika, që po zhvillon sulme nga ajri, njoftoi se kishte larguar militantët e ISIS-it nga 10 fshatra. Gjithsesi, Qaraqosh, që deri para luftës ka qenë një prej qytezave më të mëdha me popullsi të krishterë, është nën rrethim dhe snajperët po mbështesin avancimin. Mosuli është qyteti i vetëm që ISIS ka nën kontroll në territorin irakian. Rimarrja e tij do të kishte një rëndësi të madhe strategjike në luftën kundër terrorizmit.
BELINDA KOKA-ADEMI
