Maqedoni

Ekstremizmi i dhunshëm, Spasovski: Të ndalojmë radikalizmin e të rinjve; Bejli: Kuptoni arsyen që të parandaloni pasojat

19.10.2016 14:13

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, vlerëson se ekstremizmi i dhunshëm është rrezik për çdo shoqëri, aq më tepër për shoqëritë multietnike...

Sipas tij, rikthimi në vendet e origjinës i personave pjesëmarrës në konflikte të armatosura përbën një sfidë serioze për autoritetet e këtyre vendeve. Risocializimi i tyre është gjëja e duhur, thotë Spasovski, por nuk deshi të japë të dhëna konkrete se sa persona të tillë janë kthyer në Maqedoni dhe nëse ata përbëjnë ndonjë rrezik aktual për vendin.
 
“Ekziston rrezik serioz nga personat të cilët janë kthyer nga vendet e konflikteve. Shteti duhet të punojë shumë për të krijuar mekanizma që të mos arrihet deri të radikalizmi, në ndërkohë të punohet në risocializimin e personave të cilët për arsye të ndryshme kanë qenë në vende të ndryshme lufte, si në Afganistan, Irak apo Siri”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
 
Ambasadori  amerikan, Bejli, përkujton se ekstremizmi i dhunshëm nuk fillon në fushëbetejë, por në fqinjësi, familje, shkolla dhe vende pune. 
 
“Është e një rëndësie të veçantë të kuptohet arsyeja e cila i shtyn të rinjtë drejt radikalizmit si dhe të gjenden mënyra për intervenim efikas. Ky është edhe qëllimi i hulumtimit dhe kjo duhet të jetë çështja e shoqërisë, liderëve politik, prindërve, mësimdhënësve të cilët duhet të jenë aktiv, pasi që radikalizmi tani ndodh në internet”,- tha ambasadori i ShBA-ve, në RM, Xhes Bejli.
 
Tema e radikalizmit si rrezik në shumë vende të botës, duke përfshirë edhe Maqedoninë, u shtjellua në promovimin e hulumtimit “Përpjekjet e Maqedonisë në kundërshtim me ekstremizmin e dhunshëm në pikëpamje të shoqërisë civile”, të realizuar nga OJQ “Analitika Tink tenk”, nën mbështetje të Ambasadës së ShBA-ve në vend.
 
LEUNORA KALIQI