Maqedoni

Universiteti “Nënë Terezë”, Lutfiu: javën që vjen fillon me punë; Haklaj: emri që mban, garanci për sukses

19.10.2016 16:05

Në Universitetin “Nënë Tereza” deri tani janë regjistruar 120 studentë...

Ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu, pret që UNT të fillojë me punë javën që vjen, ndërsa regjistrimi do të vazhdojë deri të premten.  
 
“Tashmë Universiteti i ri “Nënë Tereza” i ka organet e veta, ka senatin dhe ka rektorin e vet. Sigurisht që nuk më takon mua që të prononcohem për universitetin, mirëpo sipas informacioneve që i kam janë regjistruar 120 studentë, regjistrimi vazhdon deri ditën e premte dhe së shpejti besoj që do të ketë prononcim nga universiteti për fillimin e vitit akademik, që do të jetë javën tjetër”,- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu.
 
Përkrahje për këtë universitet ka ardhur edhe nga kryetari i Unionit artistik të kombit shqiptar, Azgan Haklaj. 
 
“Është një ngjarje e madhe për shqiptarët e Maqedonisë, për kombin shqiptar dhe më gjerë, që tashmë hapet një universitet me emrin e nobelistes tashmë të shenjtëruar. Unë shpresoj dhe besoj që ky universitet do të ketë një sukses të jashtëzakonshëm për emrin që mban dhe jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri dhe në Mal të Zi”,- tha kryetari i Unionit artistik të kombit shqiptar, Azgan Haklaj.
 
Universiteti “Nënë Tereza” do të ndajë fillimisht objektin me Universitetin e Europës Juglindore në Shkup edhe përkundër protestave të studentëve të UEJL-së.
 
Por, nga MASh më shumë herë kanë premtuar se shumë shpejt do të fillojë edhe ndërtimi i objektit të ri për UNT-në  që do të mundësojë funksionimin e këtij universiteti sipas të gjitha standardeve të arsimit të lartë.
 
ERSAN PARAZITI