5 mijë euro donacion gjerman, aparate për kuzhinë për Kopshtin “Fidani”
Një donacion prej 5 mijë eurosh nga Ambasada gjermane ka mundësuar furnizimin...

Një donacion prej 5 mijë eurosh nga Ambasada gjermane ka mundësuar furnizimin me aparate për kuzhinë në Kopshtin e fëmijëve “Fidani” në Shkup.
Aparatura përbëhet nga frigoriferë, makina për larjen e enëve dhe karroca për shpërndarjen e ushqimit.
“Shpresoj që sadopak ju kemi ndihmuar në përmirësimin e kushteve për mirëmbajtjen e ushqimit, efikasitet më të madh energjetik gjatë shfrytëzimit të aparateve në kuzhinë. Në këtë mënyrë i ndihmojmë gjeneratave të ardhshme, fëmijëve që janë ardhmëria jonë”,- deklaroi përfaqësuesja e Ambasadës së Gjermanisë, Marina Serafinovska.
“Në emër të kolektivit dhe të gjithë të punësuarve dhe të fëmijëve i jemi falënderues Ambasadës së Gjermanisë që na përkrahën për realizimin e këtij projekti. Besoj se kuzhina jonë tani do jetë më funksionale dhe me kapacitet dhe standarde do t’i përgatisë ushqimet për fëmijët”,- tha drejtoresha e Kopshtit “Fidani”, Rabie Loku.
Ambasada e Gjermanisë ndan çdo vit një fond të posaçëm dhe ndihmon në projekte të tilla, që kanë si synim përmirësimin e jetës së qytetarëve të Maqedonisë, me theks të veçantë fëmijët. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
