Arsimimi për të rritur- Haraçinë, 154 banorë pajisen me diploma të shkollës së mesme

19.10.2016 16:37

154 banorë të Haraçinës u pajisën me diploma të shkollës....

154 banorë të Haraçinës u pajisën me diploma të shkollës së mesme pas përfundimit me sukses të drejtimit teknik i ekonomisë.

Ata janë pjesë e kategorisë së qytetarëve që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur ta kryejnë në kohë shkollimin e mesëm. Diploma e shkollës së natës do t’u ndihmojë të jenë më të kualifikuar në tregun e punës.

“Me këtë projekt, një pjesë e tyre do të mund të avancohen në vendet e tyre të punës, ndërsa pjesa tjetër e këtyre kandidatëve do t’a kenë më lehtë të konkurrojnë dhe të pranohen në vendet e reja të punës”,- tha ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.

Por, me gjithë suksesin e shkollës së natës, Haraçina ka probleme  në arsimin e mesëm. Kreu i komunës, Ajvazi, pohon se fshati ka numër të madh të nxënësve dhe patjetër duhet të ketë edhe një shkollë të mesme, por, sipas tij, problem përbën mungesa e lokacionit për ndërtimin e shkollës.

“Mendoj se ka nevojë të ketë edhe një shkollë të mesme. Kjo iniciativë është ngrit që më herët në vitet e kaluara, problem numër një ka qenë vendi që duhet të ndërtohet shkolla e mesme, sepse shkolla e Haraçinës ka qenë në plan të bëhet  me shkollën e Sarajit. Kemi hulumtuar të gjejmë një vend të përshtatshëm për shkollë të mesme, ose pse jo të jetë në mes të komunës së Haraçinës, Gazi Babës dhe Hasanbegut. Do të punohet në këtë drejtim”,- theksoi kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.

Për shkak të mungesës së një objekti për shkollim të mesëm, nxënësit e kësaj komune detyrohen që shkollimin e mesëm ta ndjekin në shkollat e tjera të Shkupit. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)