Maqedoni

Disbalanci i votuesve në njësitë zgjedhore përplas partitë në “Argument”

19.10.2016 16:37

Përderisa partitë politike konsiderojnë se janë përmbushur kushtet optimale ose nuk janë përmbushur fare për zgjedhjet e 11 dhjetorit...

Përderisa partitë politike konsiderojnë se janë përmbushur kushtet optimale ose nuk janë përmbushur fare për zgjedhjet e 11 dhjetorit, ish anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Bajram Pollozhani, konsideron se zgjedhjet do të jenë jolegjitime për shkak të disbalansit të votuesve në njësitë zgjedhore.
 
Në emisionin “Argument” në TVM2, Pollozhani fton kushtetuesen të ngrejë vetëiniciativë për të tërhequr vendimin e kryeparlamentarit Veljanovski dhe mbledhjen e sërishme të kuvendit.
 
“Kjo i bën zgjedhjet jolegale. Në qoftë se shkelet kodi zgjedhor, automatikisht është shkelur edhe kushtetuta. Gjykata kushtetuese e ka fuqinë e kompetencës konstitucionale që të thotë se akti nënligjor për vetëshpërbërje dhe aktet nënligjore për shpalljen e zgjedhjeve nga kryetari është në kundërshtim me ligjin, sepse nuk janë përmbushur parimet e barazisë të njësive zgjedhore. Gjykata kushtetuese me eksoficio mund ta bëjë këtë”,- deklaroi eksperti juridik, Bajram Pollozhani.
 
Nora Aliti nga BDI thotë se çështja e numrit jo të barabartë të votuesve do të korrigjohet, pasi KShZ do të vendosë listën e zgjedhësve në shqyrtim publik. Por, përfaqësuesi i LSDM-së, Edmond Ademi, thotë se kjo çështje do të zgjidhej në kuadër të Marrëveshjes së Përzhinës.
 
“Pas afatit 15 ditor do të kemi vlerësim real se ku gjendemi. Ne si BDI nuk ishim të interesuar për zgjidhje të cunguar në një njësi, në dy njësi zgjedhore, donim një zgjidhje afatgjate dhe mundësitë nuk lejuan që kjo të mund të ndodhë para zgjedhjeve të 11 dhjetorit”,- tha Nora Aliti nga BDI.
 
“Njësia zgjedhore numër gjashtë nuk do ta kishte këtë problem legal në qoftë se gjatë procesit të Marrëveshjes së Përzhinës 2015-të, kur ne si LSDM propozuam që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore me lista të hapura, tre partitë tjera pjesëmarrëse në ato negociata, VMRO, BDI dhe PDSH refuzuan.”,- theksoi Edmond Ademi nga LSDM.
 
Sipas Zulfi Adilit të UNITETI-t, balancimi i votuesve në të gjitha zonat me shqyrtimin publik të listës së votuesve është absurd.
 
“KShZ thirret në emër të asaj se unë do ta nxjerr listën me një datë të caktuar. Kemi parasysh se vetëm subjektet politike ku do t’i gjejnë votuesit e vet do të duhet t’i alarmojnë dhe do të duhet t’u thonë paraqituni tash se kemi problem se nuk jeni ju në listë dhe çka themi për ata njerëz të cilët nuk lajmërohen dhe nuk duan ta shohin veten, të cilët defakto janë qytetarë të Maqedonisë dhe banorë të këtij vendi. Ku do mbesin ata njerëz”,- u shpreh Zulfi Adili nga UNITETI.
 
Çështje tjetër që konteston zgjedhjet e 11 dhjetorit janë edhe obstruksionet që i bëhen Prokurorisë Speciale me mosmiratimin e kërkesave të këtij institucioni para shpërbërjes së kuvendit.
 
MERAL ISMAILI