Zgjedhjet e parakohshme, formalizohet koalicioni LR-PDSh, UNITETI dhe RDK
Tre parti të opozitës shqiptare jashtëparlamentare formalizuan koalicionin....

Tre parti të opozitës shqiptare jashtëparlamentare formalizuan koalicionin për zgjedhjet e dhjetorit.
LR-PDSh, UNITETI dhe RDK e Vesel Memedit do të garojnë me platformë dhe lista të përbashkëta, ndërsa në aktivitetet parazgjedhore do të jenë të bashkërenduara. Marrëveshjen për koalicionim e nënshkruan krerët e partive përkatëse.
“Programet, platformat për zhvillimet politike në RM për shqiptarët janë të ngjashme. Nuk është radhitja e njëjtë, por atë që dëshirojnë shqiptarët është e njëjtë, duke filluar prej te gjuha dhe zhvillime të tjera, të cilat kanë ngelur pas”,- theksoi kryetari i UNITETI-t, Gëzim Ostreni.
Në pyetjen pse ky koalicion merr pjesë dhe legjitimon zgjedhje, të cilat organizohen pa harmonizimin e njësive zgjedhore, në dëm të votës shqiptare, kur platforma për koalicionim të përbashkët si pikë të parë parasheh barazinë e plotë të dy bashkësive etnike më të mëdha në vend, Sela e dha këtë përgjigje:“I drejtë është konstatimi juaj, por fatkeqësisht ne jemi opozitë jashtëparlamentare. Ne nuk na vjen turp të themi se nuk kemi marrë pjesë në bisedime. Ne na keni dëgjuar me deklarata duke dhënë propozime se si duhet të jetë modeli zgjedhor, se sa njësi zgjedhore duhet të ketë, etj... Kur do të marrim fitoren ne do ta bëjmë një njësi zgjedhore, do t’i bëjmë listat e hapura proporcionale, sepse vlerësojmë se duhet ta kthejmë demokracinë brenda subjekteve politike”,- tha kryetari i LR PDSh-së, Zijadin Sela.
Koalicioni mbetet i hapur edhe për partitë e tjera opozitare jashtëparlamentare, ndërkaq nuk do të bëhet pjesë e asnjë koalicioni paszgjedhor nëse paraprakisht nuk pranohen 12 pikat e platformës.
Përdorimi i gjuhës shqipe në nivel të barabartë me atë maqedonase dhe garantimi i njërit nga tre postet kryesore të shtetit për shqiptarët, si dhe ndarja proporcionale e buxhetit janë disa nga pikat e platformës së këtij koalicioni. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
