Specialja hap nesër dy raste të reja, PSP: Prisni pres-konferencën për detaje
Prokuroria Speciale Publike nesër do të publikojë dy raste të reja...

Prokuroria Speciale Publike nesër do të publikojë dy raste të reja. Nga PSP nuk kanë dashur të japin detaje se për çfarë lëndësh dhe në pyetjen tonë u përgjigjën shkurt se për hollësi duhet të presim deri nesër në orën 11, për kur dhe është e paraparë pres-konferenca.
Jozyrtarisht, mësojmë se për dy lëndët do të akuzohet një zyrtar aktual dhe një ish-zyrtar i lartë, nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe ajo e Kulturës, por sa të vërtetë ka në këto pohime jozyrtare do të mësohet nesër.
Tashmë dihet që hetuesit e PSP-së kanë konfiskuar dokumentacionin nga Ministria e Kulturës për projektin “Shkupi 2014”, projekt ky që zinte një vend të rëndësishëm në të ashtuquajturat “bomba” të publikuara nga opozita. As nga Ministria e Kulturës nuk deshën të prononcohen, por për përgjigje na drejtuan tek PSP.
“Proceduarat që udhëhiqen nga Prokuroria Speciale janë të fshehta dhe Ministria e Kulturës nuk mund të japë deklarata apo t’i komentojë të njëjtat. Për të gjitha informacionet, ju udhëzojmë t’i drejtoheni Prokurorisë Speciale si institucion kompetent për këtë çështje”,- na thanë nga Ministria e Kulturës.
Përveç “Shkupit 2014”, mediat spekulojnë se nesër do të hapet edhe lënda për projektin “Qyteti i diellit”, respektivisht tentimi i dështuar i investitorëve izraelitë për ta realizuar atë në komunën e Sopishtës.
Leja për ndërtim aktualisht u është dhënë investuesve nga Turqia, por hetimi i PSP-së do të bazohet në mënyrën se si e fituan të drejtën për ndërtim investuesit e parë, që më pas u tërhoqën nga projekti. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
