Botë
Zgjedhjet në ShBA, Trump mund të mos e pranojë rezultatin zgjedhor
20.10.2016 09:35
Donald Trump mund të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve të 8 nëntorit nëse ato nuk dalin ashtu siç ai e mendon...

Kandidati republikan për president, Donald Trump, kishte mbrëmë një sfidë të vështirë në debatin e tretë përballë Hillary Clinton.
Debati i mbrëmshëm dominoi në favor të Clintonit që ka fituar në sondazhe me 52% besueshmëri kundrejt 39% të Trumpit.
Debati filloi pa një shtrëngim duarsh, një shenjë e acarimit të retorikës së fushatës. Temat përfshinë gjykatën e lartë, emigracionin dhe ekonominë, por dhe politikën e jashtme.
“Nëse bëhem president, ju garantoj që “burrat e këqij” do të deportohen sa më shpejt”,- tha kandidati republikan për president të ShBA-ve, Donald Trump.
“Unë jam më e zonja për sigurinë e kufirit, por jam kundër planeve të zotit Trump. Planet e tij janë për të dëbuar mijëra banorë pa dokumente, do t’i ndajë familjet”,- tha kandidatja demokrate për presidente të ShBA-ve, Hillary Clinton.
Clinton tha se nuk do të dërgonte trupa tokësore në Irak, pasi “Shteti Islamik” të mposhtet në Mosul. Trump tha se Mosuli ra në kontrollin e “Shtetit Islamik” për faj të administratës Obama, përfshirë Hillary Clintonin si sekretare e Shtetit.
“Presidenti sirian, Bashar al-Assad, është më i fortë se Obama dhe se vendimet e këqija të Shteteve të Bashkuara janë pjesërisht përgjegjëse për katastrofën humanitare në Siri”,- theksoi kandidati republikan për president të ShBA-ve, Donald Trump.
“Siria do të mbetet një vatër terrorizmi për sa kohë të vazhdojë lufta civile, prandaj do të këmbëngul për një hapësirë të sigurt ajrore dhe zona të sigurta për të mbrojtur civilët”,- theksoi kandidatja demokrate për president të ShBA-ve, Hillary Clinton.
Debati u mbyll siç filloi, pa shtrëngim duarsh të kandidatëve. Por, Trump mund të mos e njohë rezultatin e zgjedhjeve të 8 nëntorit nëse ato nuk dalin ashtu siç ai e mendon.
“Do t'ju them kur të vijë koha. Do ju mbaj në suspancë”,- i është përgjigjur Trump gazetares së Fox News. “Kjo është e tmerrshme”,- ka qenë reagimi i Clintonit ndaj idesë së një kandidat për president vë në pikëpyetje vlefshmërinë e zgjedhjeve.
BELINDA KOKA-ADEMI
