Botë
Në Alepo të Sirisë nis pauza humanitare
20.10.2016 13:30
Në Alepo të Sirisë ka hyrë në fuqi “pauza humanitare”, e shpallur nga Rusia, për t’i lejuar civilët dhe rebelët të largohen nga qyteti...

Pauza ka nisur formalisht në orën tetë të mëngjesit, sipas kohës lokale. Ajo ka qenë e paraparë të zgjasë tetë orë, por Moska tha se e ka zgjatur edhe për tri orë të tjera.
Forcat qeveritare të Sirisë, të mbështetura nga Rusia, kanë nisur muajin e kaluar një ofensivë në zonat e kontrolluara nga rebelët në Alepo.
“Ajo çfarë po ndodh në Alepo është krim lufte”,- ka thënë presidenti i Francës, Francois Hollande, pas bisedimeve me liderët gjermanë dhe rusë në Berlin.
Edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka dënuar fushatën ajrore në qytetin më të madh të Sirisë, duke e cilësuar si “jonjerëzore dhe mizore”.
Ajo i përshkroi bisedimet me Putinin për Sirinë si “shumë të vështira”. Të dy udhëheqësit paralajmëruan se nuk do të përjashtojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, disa orë përpara një samite të Bashkimit Europian, ku roli i Rusisë në Siri është vënë për diskutim.
Rreth 2,700 njerëz janë vrarë prejse ka nisur ofensiva në Alepo.
