Maqedoni

Këshilli gjyqësor: PSP po cenon pavarësinë e gjyqësorit

20.10.2016 14:33

Këshilli gjyqësor akuzon Prokurorinë Speciale Publike se me thirrjen në pyetje të pesë gjykatësve të Gjykatës Administrative po cenon pavarësinë e gjyqësorit...

Nga ky Këshill vlerësojnë se dinjiteti i gjykatësve kohëve të fundit është vënë në pikëpyetje nga disa individë, andaj anëtarët e Këshillit treguan gatishmëri të plotë për të luftuar kundër cenimit të pavarësisë dhe dinjitetit të tyre. 
 
“Mënyra e qasjes së Prokurorisë Publike Speciale është në kundërshtim me parimet themelore dhe standardet profesionale të gjykatësve të vendosura me të drejtën nacionale. Vlerësojmë se çdo ndikim dhe përpjekje për diskreditim të gjykatësve ose përzierje në punën e tyre dhe qasja për lëndë të veçanta ndaj tyre është në kundërshtim të plotë me kërkesën e institucioneve ndërkombëtare”,- deklaroi kryetari i Këshillit gjyqësor, Zoran Karaxhovski.
 
Karaxhovski nuk deshi të komentojë vërejtjet e shumta të Komisionit Europian lidhur me funksionimin e sistemit gjyqësor. Ai është decid se gjyqësori është tërësisht i pavarur dhe jashtë ndikimeve politike.
 
Lidhur me pengesat me të cilat u hasën prokurorët e PSP-së gjatë zbatimit të urdhrit të Gjykatës për kontroll në zyrat e DSK-së, Karaxhovski ishte i prerë se urdhri i Gjykatës është i pakontestueshëm dhe duhet zbatuar.
 
“Nëse ka urdhër gjyqësor, ky është problem shtesë për atë që ka refuzuar të veprojë sipas urdhrit gjyqësor. Ka procedura tjera gjyqësore që mund të merren lidhur me këtë. Unë nuk kam informata zyrtare se çfarë po ndodh atje. Por, dëgjova nga mediat se prokurorët specialë do të qëndrojnë me ditë të tëra deri në realizimin e urdhrit gjyqësor dhe çka është refuzuar brenda në DSK nuk kam informata”,- theksoi kryetari i Këshillit gjyqësor, Zoran Karaxhovski.
 
Nga PSP-ja hodhën poshtë akuzat e Këshillit gjyqësor, duke thënë se secili që ka bërë vepra penale duhet të përgjigjet para organeve të drejtësisë.  
 
“Unë nuk do isha pajtuar se me punën që po e bëjmë ne po cenojmë punën dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor, por përkundrazi, mendojmë se çdo individ që punon në institucion shtetëror ose në gjyqësor nuk është përjashtuar nga përgjegjësia penale në qoftë se ekzistojnë dyshime për atë përgjegjësi. Për ne të gjithë janë të pafajshëm, për derisa nuk tregohet e kundërta dhe kjo vlen edhe për gjykatësit”,- tha Lençe Ristovska nga PSP.
 
Nga Këshilli gjyqësor u ankuan se punojnë nën trysni të PSP-së dhe medieve, dhe përkujtojnë se çfarë do qoftë presioni mediatik ndaj procedurave  gjyqësore që janë në rrjedhë, është i palejueshëm.  
 
REXHEP QAMILI