Maqedoni

Dita Ndërkombëtare e Gruas Rurale, GGA: Edhe gratë mund të udhëheqin një biznes; OEMVP: Këtë vit tre femra pjesë e bordit drejtues

20.10.2016 16:04

Gratë në përgjithësi, por edhe gruaja rurale, kanë dëshmuar dhe vazhdojnë të dëshmojnë se mund t’ia dalin në biznes....

Kjo u theksua gjatë debatit në konferencën me temë “Sipërmarrësia si mundësi e fuqizimit të gruas në zonat rurale”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas Rurale.
 
“Shumica e grave, sidomos nëpër vendet rurale, nuk kanë qasje në informata të ndryshme. Tani nëpërmjet konferencave tribunave të ndryshme që do t’i bëJë GGA do të ju tregojmë dhe do të drejtojmë në atë kahje ku munden gratë të marrin grande apo diçka tjetër për ta përmirësuar biznesin e tyre”,- tha kryetarja e GGA-së, Gëzime Fejzi.
 
“Përmes këtij aktiviteti ne do të mundësojmë që gratë përmes sipërmarrësit të aftësohen dhe të gjejnë vetveten në zhvillimin e bujqësisë dhe sektorëve të tjerë të cilët mund të zhvillohen në këto zona”,- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
 
Në strategjinë e OEMVP-së për periudhën 2016-2019 janë bërë  ndryshime në statutin e Odës, ku është përforcuar roli vendimmarrës i gruas, ndërsa në bordin e kësaj Ode ekonomike do të jenë edhe tre femra.
                               
“Kjo është një hap shumë i madh që bëri OEMVP që mbas 11 viteve në Odë, në Këshillin drejtues të ketë edhe gra që do të jenë prezente aty. Edhe gratë në viset rurale mund të jenë udhëheqëse të mira edhe biznesmene shumë të forta. Unë si afariste kam filluar para 10 viteve, ku kam udhëhequr një shkollë të gjuhëve të huaja në Tetovë dhe tani ka tre vite që jam drejtuese edhe  themeluese e një institucioni edukativ parashkollor për fëmijë në Tetovë”,- tha afaristja, Qanie Selimi.
 
Gjatë konferencës gratë afariste ndanë përvojat dhe mënyrat se si mund të përmirësohet pjesëmarrja e grave në sipërmarrësi. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ