Maqedoni

Thaçi takon Bejlin: PDSh angazhohet për zgjedhje korrekte

20.10.2016 16:15

Lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, pas takimit me ambasadorin amerikan, Xhes Bejli, deklaroi angazhimin e partisë që drejton për zgjedhje korrekte...

Sipas tij, “zgjedhjet janë pika e parë, apo kryesorja, që mund të dëshmojmë se ne jemi të përgatitur dhe të pjekur të ngrehemi në një shtet ligjor”.
 
“Është shumë me rëndësi të konstatohet se nuk është vetëm problemi te institucionet dhe te individët, por duhet të tregohet vullnet politik nga ana e partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhje. Unë u zotova se ne do të jemi në kuadër të respektimit të normave dhe standardeve ndërkombëtare për zgjedhje korrekte dhe fer”,- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
 
PDSh do të përfundojë listat e kandidatëve me të cilat do të garojë në këto zgjedhje, brenda javës, tha Thaçi, duke lavdëruar përbërjen e fundit parlamentare të PDSh-së.
 
“Deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare e kanë kryer misionin më të madh historik dhe kombëtar, këta që janë. Ata dëshmuan, ky fjalor i fortë, por është  i vërtetë, ata dëshmuan se si mund të mos shitet dikush”,- theksoi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
 
Sipas Thaçit, deputetët e PDSh-së me ofertën e tyre dhe punën që kryejnë, dëshmuan lojalitetin ndaj shqiptarëve dhe platformës me të cilën PDSh garoi në zgjedhjet e fundit.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI