Maqedoni

Ankande të jashtëligjshme dhe kurdisje tenderësh, PPS shpall rastet “Toplik” dhe “Tendere”

20.10.2016 16:30

Ankande publike të jashtëligjshme dhe kurdisje tenderësh në dëm të buxhetit të shtetit...

Prokuroria Publike Speciale ka nis hetime kundër zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe në Ministrinë e Kulturës.
 
“Toplik” dhe “Tendere” janë dy rastet e reja që ka paraqitur Prokuroria Publike Speciale. Sipas materialeve dëshmuese që disponon kjo prokurori, të dyshuarit në këto dy raste kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me mbi dy milionë euro.
 
Siç njoftoi prokurorja, Fatime Fetai, rasti “Toplik” ka të bëjë me dyshime të bazuara për keqpërdorim detyre dhe autorizimesh gjatë shitjes së truallit për ndërtimin e projektit “Sonçev Grad” në Sopishte.
 
Për këtë rast akuzohet personi udhëheqës në MTL dhe pesë anëtarët e Komisionit të dytë për ankand publik. Prokurorja, Fatime Fetai, sqaroi se Komisioni për ankand publik për shitje të truallit e ka informuar të dyshuarin e parë se nuk janë plotësuar kushtet për shitjen e truallit, por ai ka formuar komision të ri, i cili ka shpallur ankand publik për shitje pa u plotësuar kushtet.
 
Truallin e ka blerë firma “San Siti”, por marrëveshja është ndërprerë në vitin 2011, për faj të MTL. Kështu që MTL ia ka kthyer paratë firmës bashkë me interesin për mospagesë, në vlerë prej 1.044.000 euro.
 
“Materiali dëshmues udhëzon në atë se i dyshuari i parë, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se ka mangësi thelbësore për shkak të të cilave MTL nuk mund të plotësojë obligimet e dakorduara me marrëveshjen, më 08.06.2007 në emër të MTL ka nënshkruar marrëveshje me personin juridik, Shoqërinë “Sun City” doo Shkup për tjetërsimin e truallit me ankand publik. Kjo marrëveshje më 20.07.2011, me marrëveshje gjyqësore të nënshkruar mes MTL dhe subjektit juridik “Sansiti” doo, është ndërprerë, pasi subjekti juridik “Sanisiti”, pikërisht për shkak të mangësive thelbësore që janë konstatuar nga Komisioni i parë për ankand publik, nuk ka mundur ta zbatojë marrëveshjen”,- deklaroi prokurorja speciale, Fatime Fetai.
 
Për lëndën e dytë “Tendere”, nga materiali dëshmues mësohet se e dyshuara e parë nga pozicioni i personit udhëheqës në Ministrinë për Kulturë ka kurdisur tender për punë shtesë në ndërtimin e muzeut të VMRO-së.
 
E dyshuara e parë dhe tre anëtarët e Komisionit për furnizime publike dyshohen se kanë favorizuar Firmën “Beton” Shtip që të fitojë tenderin në vlerë prej 1 000 000 euro. Konform materialit dëshmues të PPS-së, e dyshuara e parë ka vendosur se kush do ta fitojë tenderin para shpalljes së tenderit, ndërsa anëtarët e komisionit kanë pranuar që të hartojnë konkursin ashtu që vetëm Kompania “Beton” Shtip të mund ta fitojë tenderin.
 
Përkatësisht, e dyshuara e parë, përmes telefonit, i thotë dëshmitarit të PPS-së, ish drejtor gjeneral i kompanisë “Beton” Shtip, që të vazhdojë me punimet në muze pa dalë konkursi për tender, duke e siguruar se tenderin do ta fitojë ai.
 
“Më 18. 07. 2011 “Beton” Shtip ka dorëzuar ofertë për furnizim publik dhe formalisht ka marrë pjesë në proces, ndërkaq të dyshuarit, edhe pse e kanë ditur se “Beton” veç më i realizon punimet nga shpallja për furnizim publik, kanë hartuar raport nga procedura e realizuar se ofertues më i mirë është “Beton” Shtip dhe më 26.07.2011 e dyshuara e parë merr vendim për zgjedhjen e ofertës më të mirë. Më 05.08 është nënshkruar marrëveshja për furnizim publik për realizimin e punimeve, të cilat veç kanë qenë të realizuara”,- theksoi prokurorja speciale, Fatime Fetai.
 
Prokuroria Publike Speciale do të kërkojë nga gjykata që të ndërmarrë masa për të siguruar prezencën e të dyshuarve gjatë procesit të hetimit. 
 
SHPËTIM NUREDINI