Maqedoni
Projekt i USAID-it për integrim ndëretnik në arsim
20.10.2016 16:50
Në ambientet e Sh. F. “Bajram Shabani” në Kumanovë është mbajtur eventi përfundimtar i projektit të USAID-it..

Në ambientet e Sh. F. “Bajram Shabani” në Kumanovë është mbajtur eventi përfundimtar i projektit të USAID-it “Integrimi ndëretnik në arsim”, bartës të të cilit ishin shkollat “Bajram Shabani” dhe “Braqa Milladinovci”, në bashkëpunim me Komunën e Kumanovës dhe 13 shkolla të tjera të komunës.
Përmes këtij projekti mëtohet përforcimi i pjesëmarrjes së të rinjve në dialogun ndëretnik në rrjetin shkollor dhe të rrisë vetëdijen qytetare si dhe respektin për të drejtat e njeriut mes të rinjve në Maqedoni.
“Sot me krenari mund të theksojmë se arritëm që të prezantojmë model ku shkollat njëgjuhësore mund të realizojnë seksione të përbashkëta, punëtori të ndryshme dhe orë të përbashkëta, manifestime me pikë të përbashkëta, shëtitje dhe ekskursione të organizuara bashkërisht, ndërsa bashkësia shkollore e nxënësve si dhe e prindërve po ashtu vepruan bashkërisht në inicimin e aksioneve të ndryshme për mirëqenien e nxënësve tanë”,- deklaroi drejtori i Sh. F “Bajram Shabani”, Gëzim Rushiti.
“Vetadministrata lokale qëndroi fort rreth këtij projekti, i cili gjatë katër viteve të kaluara, me një sërë projektesh të tipit të punëtorive dhe aktiviteteve të ndryshme të përbashkëta, në një farë mënyre paraqet urë lidhëse të dallimeve mes etnikumeve në shoqërinë tonë multietnike”,- tha kryetari i Komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski.
Ndryshe, projekti është nismë pesëvjeçare në vlerë prej 6.2 milionë dollarë, kurse në kornizat e tij realizohet bashkëpunimi me të gjitha institucionet relevante në sferën e arsimit si mbështetje e angazhimeve të Qeverisë së RM-së në proceset e integrimit ndëretnik.
NEXHAT AQIFI
