Maqedoni

Reagojnë ambasadat e huaja: PSP duhet të kryejë punën e saj pa pengesa

21.10.2016 12:36

Zhvillimet e djeshme në policinë sekrete, ku është pamundësuar PSP të kryejë punën e saj, janë përcjellë edhe me reagime nga faktori ndërkombëtar...

E para që ka reaguar ka qenë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila i ka porositur palët që PSP-së t’i lejohet të kryej hetimet pa pengesa, duke shtuar se institucionet shtetërore dhe partitë politike duhet të bashkëpunojnë në këtë drejtim, pasi vërtetimi i përgjegjësisë për përgjimet është një nga hapat e daljes së vendit nga kriza e tanishme politike. 
 
Ka reaguar edhe ambasadori britanik, Carls Garet. “Puna e Zyrës së Prokurorisë Speciale është shume e rëndësishme”,- ka thënë ambasadori britanik, Garet, në reagimin e tij.
 
Ambasadori Garet thotë gjithashtu se PSP është ngarkuar me detyrën e vështirë të hetimit të pretendimeve se kush i kreu përgjimet dhe kush është përgjegjësi i tyre.
 
“Për themelimin e Prokurorisë Speciale ranë dakord që të katër liderët e partive kryesore politike dhe kjo u mbështet në mënyrë unanime në Parlament. Pra, askush nuk mund të vendosë shkopinj në rrota në punën e PSP-së, sepse nëse këto akuza nuk hetohen, nuk mund të ketë një zgjidhje të qëndrueshme të krizës politike”,- deklaroi ambasadori i Britanisë së Madhe, Çarls Garet. 
 
Edhe Ambasada e BE-së në Shkup ka lëshuar reagimin e saj, ku u bën thirrje të gjitha palëve në Maqedoni që t’i përmbahen marrëveshjes së arritur në Përzhinë dhe të mos pengojnë punën e Prokurorisë Speciale Publike.