Botë

Itali - ‘Paralizimi’ i transportit publik, protestojnë sindikatat

21.10.2016 14:04

Disa sindikata punëtorësh në Itali, zhvilluan një grevë e cila preku edhe transportin teksa një pjesë e konsiderueshme...

Disa sindikata punëtorësh në Itali, zhvilluan një grevë e cila preku edhe transportin teksa një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve e patën të pamundur për të shkuar në punë për shkak të pezullimit të aktivitetit nga ana e autobusëve, trenave, metrove dhe madje edhe aeroporteve.
 
Sindikatat kundërshtojnë reformën në punësim e cila është propozuar nga qeveria e Kryeminsitrit Mateo Renzi. Sipas tyre, drafti nuk i mbron siç duhet interesat e punëtorëve, dhe u lehtëson punën kompanive për të punësuar punëtorë me kohë të pjesshme duke evituar kontratat afatgjata me kohë të plotë. Qytetarët u shprehën se kjo situatë duhet të ndryshojë.
 
“Kemi shumë probleme. Sot do të jem vonë në vendin e punës. Kur një autobus kalon, ata janë aq të mbushur sa nuk vë dot një këmbë brenda tyre. Duhet bërë diçka pasi nuk mund të vazhdojmë kështu.”
 
‘Të gjithë autobusët janë të mbushur plot dhe nuk mund të futemi brenda. Megjithatë, njerëzit ende po përpiqen.”
 
Sindikatat e punëtorëve kanë paralajmëruar se do të organizojnë sërish greva të tillë në rast se kërkesat e tyre nuk do të pasqyrohen në draftin e hartuar nga qeveria. Ata shtojnë se greva do të shtrihet edhe në sektorë të tjerë, përveçse në transportin publik.
 
Megjithatë, qytetarët e thjeshtë gjykojnë se kjo nuk është mënyra e duhur për të protestuar, pasi shumica prej tyre përdorin autobusët dhe trenat për të shkuar në vendet e punës./Oranews