Maqedoni

Gazetaria hulumtuese, ekspertët: Kyçe për demokracinë në vend

21.10.2016 15:04

Gazetaria hulumtuese është kyçe për zhvillimin e demokracisë në vend, por eksperët thonë se në Maqedoni ka shumë pak gazetari hulumtuese...

Gazetaria hulumtuese është kyçe për zhvillimin e demokracisë në vend, por eksperët thonë se në Maqedoni ka shumë pak gazetari hulumtuese, ndërsa ata të cilët vendosin të hulumtojnë seriozisht, shpeshherë janë të penguar, kërcënohen dhe gjobiten nga individë të prekur në këto hulumtime dhe kjo gjë cenon drejtpërsëdrejti profesionin.
 
“Lirinë e shprehjes ne e shohim si një mekanizëm të pazëvendësueshëm jashtë institucional, i cili ka për qëllim të kontrollojë punën e qeverisë, andaj liria e shprehjes, pavarësia e mediave dhe gazetaria hulumtuese në përgjithësi janë disa nga parimet kryesore të demokracisë”,- deklaroi Neda Maleska Saçmarovska nga Qendra për Menaxhim me Ndryshime.
 
“Profesioni i gazetarisë nuk është në pozitë të lakmueshme. Nuk them se në vend nuk ka gazetari hulumtuese, por duke marrë parasysh gjendjen e vendit në periudhën e fundit, ky proces është i penguar dhe realizohet me shumë vështirësi”,- tha Margarita Nikollova nga Instituti për të Drejtat e Njeriut.
 
Konferenca “Gjenerata e re e gazetarëve hulumtues” u organizua  nga Qendra për menaxhim me ndryshime dhe Instituti për të drejtat e njeriut, ndërsa mbështetje jep edhe BE dhe Ambasada e Britanisë në Shkup.
 
“Themeli në të cilin bazohet gazetaria hulumtuese mund të shpjegohet me disa fjalë dhe ato janë “Për të mirën e opinionit”. Gazetarët e vërtetë hulumtues e dinë se po i shërbejnë publikut dhe këtu nuk ka dyshime”,- theksoi Paul Edwards nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Shkup. 
 
Në këtë projekt marrin pjesë 250 studentë të gazetarisë, ku pas trajnimeve do duhet t’i përgatisin storjet e tyre hulumtuese. Projekti në fjalë do të realizohet deri në vitin 2017. 
 
REXHEP QAMILI