Maqedoni

25 vjet nga vdekja e Lorenc Antonit, ITShKShM përkujton veprën e tij

21.10.2016 16:17

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve përkujtoi 25 vjetorin e vdekjes së kompozitorit...

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve përkujtoi 25 vjetorin e vdekjes së kompozitorit, dirigjentit dhe etnomuzikologut të njohur shqiptar, Lorenc Antoni.
 
Me këtë rast, në bashkëpunim me Postat e Maqedonisë, u promovua edhe pulla e re postare kushtuar kësaj figure të shquar.
 
“Është një pikë e cila institucializon veprimtarinë e atyre që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për kulturë, për traditën, për etnomuzikologjinë dhe sferat tjera të cilat ne dalëngadalë, në mënyrë institucionale, veç po i shënojmë”,- deklaroi drejtori i ITShKShM–së, Skender Hasani.
 
“Ne kemi hapur tash edhe faqen e etnomuzikologjisë. Instituti me këtë dimension të veprimit na ka detyruar që vitin e ardhshëm, në kuadër të programit për mbështetjen e projekteve në sferën e muzikës, të mbështesim dhe shumë kompozitorë që nuk janë më në mesin tonë”,- tha sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi.
 
“Kjo vepër e vogël arti është kontributi i ynë ndaj figurës dhe veprës së këtij kompozitori të madh. Ne sot lëmë gjurmë të rëndësishme, sepse pullat postare udhëtojnë ashtu sikur udhëtojnë edhe tingujt e muzikës së Lorenc Antonit”,- u shpreh drejtori i Postave të Maqedonisë, Fadis Rexhepi.
 
“Nëna Terezë kishte shkruar një poezi në moshën 18 vjeçare rrugës duke shkuar nga Irlanda për në Kalkutë, atëherë kur u zotua dhe në ndërgjegjen e saj ishte Zoti për të bërë mirë dhe për t’i shërbyer njerëzimit. Lorenc Antoni mori dhe kompozimin e kësaj poezie, bëri muzikën dhe e shndërroi në një vepër artistike”,- theksoi gazetarja, Diana Toska.
 
Për jetën dhe veprën e Lorenc Antonit folën edhe të tjerë njerëz  eminentë të kësaj sfere. Lorenc Antoni u lind në Shkup, në vitin 1909, dhe vdiq në Prishtinë, më 21 tetor 1991. 
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI