Maqedoni
“Ditët e Naimit 2016”, Kuei Shien Lee: Vendet tona i bashkon poezia
21.10.2016 17:01
Në mënyrë solemne, mbrëmë në Tetovë filloi edicioni i 20-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”...

Duke vendosur lule tek busti i shkrimtarit, Naim Frashëri, dhe me ndezjen e fishekzjarreve u shënua edhe fillimi i aktiviteteve të Festivalit. Fitues i çmimit, poeti tajvanez, Kuei –shien-Lee, është shprehur se këtë çmim do të ndajë me popullin tajvanez.
“Festivalet ndërkombëtare gjithandej nëpër botë paraqesin stereotipa të veçanta komunikimesh, ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një arenë ku dialogohen nga afër në një subjekti letrar. Festivali ndërkombëtar i poezisë “Ditët e Naimit”, përveç dialogimit përmes leximeve letrare dhe debateve letrare, ai komunikon përmes përkthimit të letërsisë së gjuhës hua në gjuhën shqipe dhe anasjelltas”,- deklaroi drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu.
“Është një nder i madh për mua që të nderohem me këtë çmim, është edhe një nderim aq më i madh edhe që bëhet në emër të poetit kombëtar, Naim Frashri. Unë kam vullnetin e madh që këtë çmim ta ndaj me popullin e Tajvanit, gjeografikisht Maqedonia dhe Tajvani janë të largët, por poezia mund t’i bashkojë”,- tha fituesi i Çmimit “Naim Frashri”, Kuei Shien Lee.
“Ky aktivitet tregon edhe një herë dëshirën e madhe që ka pikërisht ky qytet dhe poetët e këtij qyteti për të realizuar atë kuptim të madh që ka arti dhe poezia, në fakt tejkalimi, tejkalimi i kufijve”,- theksoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” marrin pjesë mbi 30 poetë nga vendet e ndryshme të botës.
VISAR SADIKI
