Maqedoni

Civil prezantoi parregullsitë në rrethin e parë

22.04.2014 18:16

Listat fiktive të votuesve dhe të hyrjeve të pallateve, njerëz të vdekur në listën zgjedhore...

Listat fiktive të votuesve dhe të hyrjeve të pallateve, njerëz të vdekur në listën zgjedhore, ryshfeti prej 500 denarësh që u është dhënë disa individëve për të votuar ndonjë kandidat të caktuar dhe keqpërdorimi i të rinjve dhe të fëmijëve në fushatat zgjedhore presidenciale, janë prej vërejtjeve më të rënda të Organizatës Joqeveritare “Civil”, të detektuara  në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Sipas tyre, cikli zgjedhorë ka  kaluar duke shkelur të drejtat e njeriut, thotë kryetari i kësaj organizate, Xhabir Deralla. 
 
“Presioni dhe frikësimi i votuesve janë të pranishëm në çdo Komunë, i vërejmë në nivele të ndryshme, korruptimi i trupit votues është gjithashtu prezent në mënyrën më vulgare prej 500 denarësh, por është e pranishme edhe në paraqitjet publike, në mediat mes kandidatëve që garojnë. Lista zgjedhore po ashtu paraqet një problem tejet serioz, ku paraqiten lista fiktive të votuesve dhe të hyrjeve të pallateve…”, deklaroi kryetari i OJQ-së “Civil”,  Xhabir Deralla.
 
Përveç kësaj, parregullsi ka pasur edhe gjatë votimit të të burgosurve, të sëmurëve dhe të njerëzve të  pafuqishëm. Sipas “CIVILI”-t, jo të gjithë të burgosurit kanë shfrytëzuar  të drejtën e votimit, pasi që në listën zgjedhore nuk janë gjetur për të votuar. 
 
Problem tjetër në këtë fushatë paraqet edhe shfrytëzimi i resurseve buxhetore nga funksionarët e lartë gjatë fushatës parazgjedhore. Në prag të realizimin të zgjedhjeve të parakohshme, “CIVILI” u bëri  thirrje të gjitha institucioneve adekuate që të kenë më shumë  kujdes gjatë  organizimit të  zgjedhjeve të lira. 
 
Me datën 27 prill, Shoqata Joqeveritare “Civil” do të vëzhgojë procesin zgjedhorë me 115 persona, për këtë shkak të gjitha parregullsitë  qytetarët mund t’i denoncojnë në ueb-faqen e kësaj shoqate.
 
REXHEP QAMILI