ISIS kundërpërgjigjet, fillon sulmin ndaj qytetit Kirkuk
Në një kohë kur forcat irakiane po zhvillojnë një operacion për çlirimin e qytetit të Mosulit nga “Shteti Islamik”...

Në një kohë kur forcat irakiane po zhvillojnë një operacion për çlirimin e qytetit të Mosulit nga “Shteti Islamik”, ekstremistët e kësaj organizate terroriste kanë nisur një sulm në qytetin Kirkuk.
Në këtë zonë janë dëgjuar fillimisht shpërthime të shumta e më pas militantët kanë hyrë në shtëpitë e qytetarëve, duke i marrë këta të fundit peng.
Ata gjithashtu kanë sulmuar një stacion policie si dhe një zonë ushtarake.
Autoritetet vendosën menjëherë shtetrrethimin. Në zonë është rritur ndjeshëm prania e forcave ushtarake, me qëllim që qyteti të mos bjerë përfundimisht në duart e ekstremistëve.
“Shteti Islamik” ka përdorur situatën për të marrë nën kontroll zonat më strategjike, duke shfrytëzuar faktin që shumica e forcave të armatosura janë angazhuar në operacionin për çlirimin e Mosulit.
Ende nuk ka një bilanc të qartë të viktimave, por mediat kanë raportuar se shumë persona janë vrarë.
