Maqedoni

LSDM aktivitete parazgjedhore në Kumanovë

22.04.2014 18:19

Gjatë prezantimit të platformës politike për Zgjedhjet Presidenciale dhe ato Parlamentare, para qytetarëve të Kumanovës...

Gjatë prezantimit të platformës politike për Zgjedhjet Presidenciale dhe ato Parlamentare, para qytetarëve të Kumanovës kryetari i partisë më të madhe opozitare maqedonase, Zoran Zaev, ka vazhduar me akuzat kundër kryetarit të partisë së VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskit.
 
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, ka deklaruar se kryeministri Nikolla Gruevski i është përshtatur krimit, ndërsa ka theksuar se asnjë krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Zaev i ka bërë thirrje edhe një herë kryeministrit që të marrë përgjegjësinë për skandalin 1.5 milionësh të shitjes së Bankës së Maqedonisë.
 
“Ne edhe më tej i bëjmë thirrje kryetarit të VMRO-së, NIkolla Gruevskit, të dalë të na demantojë publikisht me argumente të qarta, loja me paratë e pista duhet të përfundojë një herë e mirë. Duart e ndyta duhet që të largohen nga Maqedonia. Krimi duhet të fillojë të ndëshkohet, sepse gjithnjë e më tepër varfërohet qytetari maqedonas dhe Maqedonia si shtet”, deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Lideri i LSDM-së i ka ftuar qytetarët që të votojnë konceptin e besueshëm të kësaj partie, i cili ka thënë se do ta shpëtojë vendin.
 
Edhe kandidati presidencial i LSDM-së, Stevo Pendarovski, u ka thënë këtyre qytetarëve se Maqedonia duhet të bëhet vend më i mirë për të gjithë.
 
"Ne nuk kemi vend tjetër, nuk janë dy Maqedoni. Ata po duan që ta fundosin Maqedoninë. Sot ne të gjithë duhet të kompletojmë veprimet politike për të bërë ndryshimet e duhura", u shpreh kandidati për president Shteti nga LSDM, Stevo Pendarovski.
 
Partia opozitare maqedonase, LSDM, ka vazhduar karvanin e saj zgjedhor nëpër pjesë të tjera të vendit.
 
MEMEDALI JUSUFI