SHBA, Rusia kërkon të vëzhgojë zgjedhjet

22.10.2016 15:33

Rusia ka kërkuar leje nga disa shtete amerikane për dërgim të vëzhguesve në zgjedhjet presidenciale...

Rusia ka kërkuar leje nga disa shtete amerikane për dërgim të vëzhguesve në zgjedhjet presidenciale dhe legjislative më 8 nëntor, por së paku tri shtete e kanë refuzuar këtë.

Departamenti amerikan i shtetit ka njoftuar mbrëmë vonë se Rusia është e mirëseardhur për observim të zgjedhjeve, por Moska e ka hedhur poshtë ftesën e Shteteve të Bashkuara, që Rusia të përfshihet në ekipin e Organzatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që i monitoron zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.

“Ne i thamë qeverisë së Rusisë se ata janë të mirëseardhur për t’i observuar zgjedhjet tona”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, John Kirby, dhe ka shtuar se “ne jemi shumë të sigurt në stabilitetin, sigurinë dhe forcën e procesit tonë zgjedhor dhe nuk ka nevojë për fshehje nga kjo”.

Njëherësh, Ambasada e Rusisë ka kërkuar leje së paku në tri shtete amerikane për dërgimin e monitoruesve në vendvotime, por Okllahoma, Teksasi dhe Luiziana, e kanë hedhur poshtë këtë kërkesë.