Karter takon liderin kurd Barzani

23.10.2016 17:00

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Ashton Carter....

Sekretari  amerikan i mbrojtjes, Ashton Carter, ka vizituar sot rajonin kurd në Irak ku ka takuar liderin kurd Massud Barzani.

Sekretari amerikan I mbrojtjes ka arritur në Irbil, që është kryeqytet i rajonit kurd në Irak, për të parë nga afër në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik, në pjesën veriore të Irakut dhe me gjasë, për të diskutuar për rolin e trupave të Turqisë në rajon.

Lideri kurd Barzani e ka njoftuar atë se forcat kurde kanë rimarrë qytetin Bashika afër Mosulit nga militantët e Shtetit Islamik, derisa forcat e kalicionit irakian kanë avancuar kah Mosuli, që është baza e fundit e madhe e militantëve në Irak. Bashika ndodhet afër bazës ushtarake me po këtë emër, ku prej 500 e deri në 1,000 ushtarë të Turqisë i stërvisin luftëtarët sunitë dhe kurdë për ofensivën në Mosul.

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, ka deklaruar se Turqia është e gatshme për “ndërmarrje të masave” në pjesën veriore të Irakut, pasi Ankaraja nuk është e kënaqur me premtimet e Irakut dhe Shteteve të Bashkuara, për rolin e militantëve kurdë dhe milicive shiite, në betejën për qytetin Mosul.

Këto komente Yildirim i bëri mbrëmë vonë, pasi kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, e ka hedhur poshtë thirrjen e sekretarit amerikan të mbrojtjes, Ashton Carter, që Bagdadi tu japë forcave turke një rol në rimarrjen e Mosulit nga militantët e Shtetit Islamik.

“Kjo është diçka me të cilën do të merren irakianët dhe irakianët do ta çlirojnë Mosulin dhe territoret e mbetura”, tha Abadi.