Maqedoni

PDSH mbajti tubim në Likovë dhe Kumanovë

22.04.2014 18:37

Partia Demokratike Shqiptare mbrëmë  zhvilloi tubime në Likovë dhe Kumanovë, ku janë prezantuar kandidatët për deputet të njësisë së dytë zgjedhore. 
 
Lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi, në tubimin në Kumanovë fillimisht shprehu mbështetje për votën e dhënë për PDSH-në më 13 prill, ku sipas tij, ishte një situatë e rëndë dhe që votuesi shqiptarë kërcënohej dhe i mohohej e drejta demokratike.
 
Partia Demokratike Shqiptare mbrëmë  zhvilloi tubime në Likovë dhe Kumanovë, ku janë prezantuar kandidatët për deputet të njësisë së dytë zgjedhore. 
 
Lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi, në tubimin në Kumanovë fillimisht shprehu mbështetje për votën e dhënë për PDSH-në më 13 prill, ku sipas tij, ishte një situatë e rëndë dhe që votuesi shqiptarë kërcënohej dhe i mohohej e drejta demokratike.
 
“Unë e kam të qartë për kërcënimet dhe vështirësitë që keni përballuar. Ata kishin përpiluar listat, por këtë e bënë ndaj popullit të tyre. Por le ta dinë se edhe ne i kemi listat e atyre që e ushtruan këtë dhunë dhe terror”, theksoi lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, duke shtuar se funksionarët e BDI-së pushtetin po e përdorin kundër popullit të vet.
 
Sipas tij, lajmi i parë për fitoren e PDSH-së më 27 prill do të jetë nga Likova dhe Kumanova, pasi që kjo zonë siç tha ai, fuqishëm është rreshtuar përkrah PDSH-së.
 
Ai gjithashtu tha se “është e palejueshme që këta që e fituan me zor mandatin e popullit, i fituan mercedesat dhe milionat, e tash pushtetin e përdorin kundër popullit të vet. Këtij pushteti duhet t’i këputet koka më 27-tin“, deklaroi kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi.  Sipas tij, kjo zonë ka përjetuar shumë rëndë dhe me sakrifica e dëme të mëdha luftën e vitit 2001.
 
“Ali Ahmeti thotë se unë po bëj marketing politik, por unë vetëm një gjë të qartë i them të gjithë familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, se PDSH-ja nuk do t’i harrojë ata. Ali Ahmeti i ka harruar ata që sot përballen me situatën e rëndë jetësore”, theksoi Thaçi, duke nënvizuar edhe përkushtimin e tij mbi mbrojtjen e dinjitetit të fesë dhe përkujdesjen që duhet bërë.  
 
Kryetari i PDSH-së bëri thirrje që më 27 prill të gjithë qytetarët në mënyrë masovike të përkrahin dhe të  votojnë PDSH-në, me qellim që të bëhet kthesa vendimtare për çështjen e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë. 
 
“Ata janë të dorëzuar totalisht. Shansi më i mirë demokratik është më 27 prill, që t’ia bëjmë me dije që edhe ne do të jemi pjesë e Qeverisë. Do ta kemi vështirë dhe rëndë, sepse këta i’a  kanë rritë çallamin maqedonasve dhe ne për disa muaj do ta kemi rëndë, por do të kthehemi aty ku kemi qenë, shqiptarët të fortë dhe këmbëngulës të udhëhequr me PDSH-në. Edhe ata njerëz që janë në administratë janë në gjendje të rëndë. Por Ahmeti thotë se skam çka i bëj që s’dinë. Por kjo s’është e vërtetë, sepse i pari i ka fajet”, deklaroi Thaçi. 
 
Sipas tij, nuk duhet të lejojmë të përsëritet votimi i 13 prillit, kur BDI i frikësonte shqiptarët për të mos dalë në zgjedhje, duke i kërcënuar dhe duke iu bërë presion se do të mbeten pa punë dhe pa ndihmë sociale. Ai theksoi se kundërshtarët e tyre politik po e keqpërdorin popullin, e keqpërdorin pushtetin kundër popullit të vet.
 
“I nënçmon shqiptarët, duke i parë vetëm si blegtorë dhe bujq. PDSH nuk do ta lejojë këtë, ne do ta kthejmë dinjitetin e popullit", tha më tej para banorëve të Kumanovës lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi.
 
Edhe bartësi i listës për deputet nga njësia e dytë zgjedhore, Orhan Ibrahimi, kërkoi mbështetje nga qytetarët për Zgjedhjet e ardhshme Parlamentare. Ai shtoi se do të angazhohet që të rinjtë të mbeten në vend, sepse siç potencoi ai, çdo vit gjithnjë e më masovikisht po largohen jashtë vendit. 
 
“BDI u instalua në skenën politike përmes gjakut të ushtarëve tanë, përmes sakrificës sublime të popullit shqiptarë, janë gjakosur mbi 500 të rinj duke menduar se do të arrijnë të sjellin lirinë, ky konflikti i vitit 2001. Pas vitit 2001 po e njëjta gjë na ndodhi edhe 500 tjerë u vranë për këto 12 vite, 400 mijë shqiptarë sot nuk i kemi pranë nesh, gjenerata më e re e shkolluar, e disa për shkak të pamundësisë, joperspektivës, dhunës dhe brutalitetit të kësaj Qeverie, u detyruan të marrin rrugën e kurbetit. Është ky zhgënjimi që për këto 12 vite na e dha Aliu me bandën e tij”, deklaroi para banorëve të Kumanovës bartësi i listës në njësinë numër dy të Partisë Demokratike Shqiptare, Orhan Ibrahimi.
 
BESIM ABDULLAI