Maqedoni
BDI mbajti tubim në Vrapçishtë
22.04.2014 18:48
BDI mbrëmë para banorëve të Vrapçishtës ka prezantuar platformën e saj për zgjedhjet e parakohshme parlamentare...

BDI mbrëmë para banorëve të Vrapçishtës ka prezantuar platformën e saj për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Përfaqësuesit e partisë dhe kandidatët për deputet të zonës së gjashtë zgjedhore, u kanë garantuar të pranishmëve se zgjedhjet e 27 prillit do të jenë të qeta.
“Unë jam i bindur që votuesit e Komunës së Vrapçishtit ashtu siç vepruan më 13 prill, ashtu të organizuar do të dalin më 27 prill, për të përkrahur opsionin i cili u garanton mirëqenie, u garanton që do të jemi më të fortë, por gjithashtu u garanton edhe implementim të plotë të platformës të cilën e prezantojmë para jush, me qëllim që Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s dhe të fillojnë bisedimet për anëtarësim në BE”, deklaroi shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor të BDI-së, Abdilaqim Ademi.
“Përderisa tjerët paralajmërojnë “kasaphane” dhe sot po paralajmërojnë “belatë e mëdhaja”, mendojmë se “kasaphanet” dhe “belatë” u kanë arritur në prag të derës. Dëgjojmë në tubimet e tyre ku juve ju drejtohen me fjalët se ju duhet të qëndroni të qetë dhe ju duhet të rrini urtë dhe se ata dikush atje janë të thirrur të shkojnë në Qeveri dhe zotohen se do të shkojnë në Qeveri pa vullnetin tuaj. Ne jemi këtu para jush të nderuar, të zotohemi se jemi të përulur dhe të heshtur para zërit tuaj të fortë dhe jemi në detyrë dhe në krye të detyrës cilën do qoftë që do të na besoni”, u shpreh kandidati për deputet i BDI-së, Talat Xhaferi.
“BDI nuk kishte nevojë për të marrë pushtetin, për shkak se atë e kishim dhe jemi në pushtet. BDI nuk kërkoi të shpallen zgjedhje të parakohshme për të marrë karrige më tepër. BDI kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare për të dëshmuar se kryetari ynë, komandanti ynë, dje në luftë, sot lider i shqiptarëve Ali Ahmeti, kërkon që të dinë të gjithë se shqiptarët nuk kanë qenë ata që kanë qenë para disa viteve”, theksoi kandidati për deputet i BDI-së, Amet Aliti.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, njëherit dhe bartës i listës në njësinë e gjashtë zgjedhore, ka kërkuar mbështetjen e vrapçishtasve, duke deklaruar se ju garanton atyre që angazhimi i tij dhe i BDI-së do të jetë për të siguruar mirëqenie më të mirë për gjeneratat e reja.
“Do angazhohemi se si të kemi treg më të gjërë dhe çmime më të përshtatshme për bujqit, për blegtorët edhe ligje sa më avancuese për investitorët, sepse e ardhmja është tek vendet e punës, tek hapja e perspektivës, që të rinjtë këtu të ndërtojnë jetën e tyre, pranë familjeve të tyre dhe mos kërkojnë të degnisen diku larg nëpër Evropë, për të siguruar një kafshatë bukë për veten dhe për familjen e tyre. Patriotizmi më i madh tani është ky, që të investojmë dhe prosperojmë në vendin tonë, ato sakrifica për të cilat luftoi kombi ynë, janë të paprekshme dhe të garantuara me ligj”, potencoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti edhe nga Vrapçishti porosinë se gjatë zgjedhjeve të 27 prillit shqiptarët duhet të votojnë vetëm për zgjedhjet parlamentare dhe jo edhe për ato presidenciale.
BDI do të zbarkojë sonte për të mbajtur tubimin e radhës në Kërçovë.
MEFAIL ISMAILI
