Maqedoni

Prokuroria Speciale Publike: Së shpejti do kemi asistim ekspert dhe teknik

24.10.2016 13:14

Nga Prokuroria Speciale Publike thonë se po punohet që të kryhen të gjitha procedurat për kryerjen e urdhrave gjyqësorë...

Nga Prokuroria Speciale Publike thonë se po punohet që të kryhen të gjitha procedurat për kryerjen e urdhrave gjyqësorë në lidhje me të dhënat e kërkuara nga pajisja e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim.
 
PSP shpreson se shumë shpejt do të ketë edhe asistim ekspert dhe teknik.
 
“Ekspertin që po e kërkojmë së shpejti do të vijë, vetëm që për momentin nuk mundemi që të precizojmë saktë se kur”,- përgjigjen nga PSP në pyetjen e “Dojçe Veles” se çfarë do të ndodhë pas reagimit të kompanisë “Erikson”, se nuk është pronare e pajisjes, që do të thotë edhe se nuk kujdeset për mirëmbajtjen e së njëjtës.
 
Sipas PSP-së, nga kjo përgjigje nuk do të thotë se nuk do të vijë eksperti i kompanisë, por vetëm se kompania nuk operon me pajisjen që ka shitur.
 
“Ne jemi në komunikim me ekspertin dhe do të vijë, vetëm që për momentin nuk mund të precizojmë se kur. Intensivisht po punohet në atë që të kryhen të gjitha urdhrat gjyqësorë në lidhje me të dhënat e kërkuara nga pajisja e DSK-së. Asistimin ekspert dhe teknik së shpejti do ta marrim”,- shprehen nga PSP.
 
Nga Kompania “Erikson”, të dielën  konfirmuan se “më 19 tetor të vitit 2016 kanë marrë kërkesë nga PSP, pas urdhrit gjyqësor të Gjykatës Themelore Shkupi 1, për asistim teknik për shkak të hetimit dhe në lidhje me funksionimin e ligjshëm të pajisjes për ndjekjen e komunikacioneve”.
 
Në kumtesë nuk zbulohet nëse kompania do të japë asistencën e kërkuar, ndërkaq e njëjta për të gjitha pyetjet thotë se duhet pyetur PSP.
 
“Për informatat në vijim, që kanë të bëjnë me hetimin, “Erikson” ju drejton te Prokuroria Speciale për këtë rast. “Erikson” nuk është pronar i pajisjes, por as nuk operon me pajisjen”,- thuhet në kumtesën e kompanisë që ia shiti pajisjen DSK-së.
 
REJHANE BUSHI-METAJ