Maqedoni
Pastërtia e ajrit, LSDM: Projekte afatgjata, jo zgjidhje momentale
24.10.2016 15:54
LSDM ka prezantuar sot planin konkret, sipas tyre, për të zgjidhur problemin e qytetarëve me ndotjen e ajrit, i cili ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve...

Sipas LSDM-së, vendit i duhen projekte afatgjata e jo zgjidhje momentale. Rikthimi i hapësirave të gjelbra në kryeqendër përmes shtimit të përqindjes së hapësirave të domosdoshme të gjelbra në Ligjin për planifikim urbanistik dhe hapësinor, gazifikim për Shkupin, promovimi i përdorimit të karburanteve miqësorë me ambientin, sisteme efikase industriale për mbrojtjen e ajrit. Këto, sipas LSDM-së, do të kontribuojnë në pastërtinë e ajrit.
“Gazifikimi në Shkup është projekti ynë strategjik përmes të cilit do të zvogëlohet edhe ndotja e ajrit, pasi një pjesë e madhe e familjeve do të kalojnë në ngrohjen me gaz. Në komunikacion do të promovojmë përdorimin e lëndëve djegëse, si gazi natyror dhe LPG. Do të stimulojmë transportin publik të organizuar në zonat urbane dhe kompanitë e mëdha. Kredi të reja në industri, që do të jenë të favorshme për zëvendësimin e linjave teknologjike të vjetruara për mjedisin dhe instalimin e sistemeve efikase për ta zvogëluar ndotjen e ajrit. Por, hapi i parë dhe më i rëndësishëm për të ulur nivelin e ndotjes është ndërrimi i qeverisë. Vetëm një qeveri e re dhe e përgjegjshme mund që të zvogëlojë ndotjen e ajrit dhe mund të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve”,- deklaroi nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski.
GAZMEND KURTISHI
