Maqedoni

Dëmshpërblimet në zonat e vërshuara, banorët: Po ndahen në mënyrë selektive

24.10.2016 17:39

Banorët e Hasanbegut ankohen se dëmshpërblimet nuk po ndahen në mënyrë adekuate...

Disa prej tyre ende nuk i kanë marrë dëmshpërblimet, ndërsa pjesa tjetër thonë se mjetet që u janë ndarë janë të pakta në krahasim me dëmin që u është shkaktuar nga vërshimet.
 
Ata thonë se për disa banorë të cilët kanë pasur të vogla janë ndarë më shumë mjete, ndërsa ata që kanë pasur dëme më të mëdha janë anashkaluar. 
 
“Dëmshpërblimet që na takojnë nuk i kemi marrë ende, unë kam qenë në spital kur ishte këtu komisioni, vajza atyre ua ka treguar dëmin, por janë përzier punët me dokumentet. Tash unë po shkoj të shikoj se çfarë do të ndodhë me punët dhe deri ku janë. Është puna se paratë po i japin vetëm për disa persona, ndërsa mu ata që duhet nuk i kanë marrë”,- deklaroi një banor i Hasanbegut. 
 
“I kemi marrë dëmshpërblimet, të kënaqur nuk jemi aspak. Për këtë shtëpi që ju edhe vetë po e shikoni se nuk ka kushte për jetesë, i kemi marrë vetëm 2100 euro. Është diçka jo e kapshme, nuk është normale kjo. Ka dikush që ka marrë më shumë para, ndërsa nuk ka dëm si ne”,- theksoi një banor i Hasanbegut.
 
“Diçka kemi marrë, por edhe për ndihmat që i kemi marrë nga Kryqi i Kuq na kanë ndalur tatim. Kemi dëgjuar se për dëmshpërblim në disa vende kanë ndarë 3000-4000 euro, ndërsa tek shqiptarët kanë ndarë shumë pak”,- u shpreh një banor i Hasanbegut.  
 
Edhe nga Bashkësia lokale theksojnë se është bërë diskriminim me ndarjen e dëmshpërblimeve. Kryetari i Bashkësisë urbane, Nijazi Amiti, thotë se procedura e ndarjes së dëmshpërblimeve nuk është duke vijuar si duhet.
 
“Sa i përket dëmshpërblimeve, tani momentalisht është një problem i madh, ashtu që nuk janë ndarë dëmshpërblimet sikurse duhet të ndahen, një javë ka që kanë filluar të ndahen dëmshpërblimet, por qytetarët nuk janë të kënaqur me ndarjen e tyre, ashtu që mund të them se qytetarët janë të diskriminuar”,- theksoi kryetari i Bashkësisë urbane “Jane Sandanski”, Nijazi Amiti.
 
Amiti tha se të gjithë qytetarët që nuk janë të kënaqur me shumën e ndarjes së mjeteve të paraqesin ankesë deri te komuna e Gazi Babës dhe të Komisioni për vlerësimin e dëmeve. Ndarja e dëmshpërblimeve duhet të mbarojë deri më 31 nëntor.
 
ERSAN PAJAZITI