Vazhdon “Lufta” VMRO – PPS, Milloshovski: PPS-ja, zyrë e LSDM-së
VMRO-DPMNE sërish ka vënë në shënjestër të akuzave Prokurorinë Publike Speciale....

VMRO-DPMNE sërish ka vënë në shënjestër të akuzave Prokurorinë Publike Speciale. Partia e ish-kryeministrit Gruevski akuzon prokuroren speciale, Katica Janeva, për angazhim në favor të LSDM-së opozitare dhe punësimin e familjarëve të saj dhe anëtarëve të LSDM-së.
Me veprime të këtilla, Janeva dëshmon se PPS-ja nuk punon profesionalisht dhe është selektive, akuzoi anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-së, Antonio Milloshovski.
“Katica Janeva dhe ekipi i saj jo që e kanë shndërruar PPS-në në zyrë të LSDM-së, por pa asnjë pardon po strehojnë në buxhetin shtetëror simpatizues, nipër, farefis dhe miq”,- theksoi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
VMRO kërkon nga PPS-ja që të ndalojë, siç thonë, me aktivitetin politik dhe bëhet institucion profesional. “Është koha e fundit që PPS të ndalojë të jetë vendi ku punësohen familjarë në vend që të jetë vendi ku punësohen njerëz profesionistë”- tha Milloshovski.
“VMRO-DPMNE e mbështeti formimin e PPS-së, por nuk kemi për qëllim që të mbështesim dhe arsyetojmë veprime të këtilla që zhvlerësojnë profesionin dhe as veprimet e znj. Janeva, të cilat e zhvlerësojnë profesionin e prokurorëve publik, ndërsa PPS bëhet zyrë partiake dhe vend për punësimin e familjarëve”,- theksoi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
Prokuroria Publike Speciale, e cila ka për detyrë të ndjek vepra penale të lidhura dhe që burojnë nga ndjekja e paligjshme e komunikimeve, është në shënjestër të akuzave të VMRO-DPMNE-së që nga themelimi. Deri tani, kjo prokurori ka ngritur kallëzime penale kundër disa zyrtarëve të lartë shtetërorë nga radhët e VMRO DPMNE-së, përfshi edhe vetë kreun e partisë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
