Botë

Itali, në 10 muaj mbërrijnë mbi 153 mijë emigrantë

25.10.2016 12:02

Ministria e Brendshme italiane ka bërë publike të dhënat e fundit mbi numrin e emigrantëve të mbërritur në Itali përgjatë vitit 2016...

Brenda 10 muajsh, prej janarit të këtij viti e deri më sot, në brigjet italiane kanë zbarkuar 153.450 emigrantë. Është kjo një shifër rekord që ka kapërcyer me 10% numrin e emigrantëve të mbërritur në të njëjtën periudhë kohore përgjatë viteve 2015 e 2014.
 
Rekord shënon dhe numri i emigrantëve minorenë të mbërritur në brigjet italiane që prej janarit të 2016 e deri në fillim të tetorit, që shënojnë shifrën prej 19429 minorenë.
 
Gjatë tre ditëve të fundit, mbi 12 mijë emigrantë kanë mbërritur në brigjet italiane me anë të operacioneve të shpëtimit në det nga ana e Frontex, Rojës bregdetare e Marinës ushtarake italiane.
 
E vetëm gjatë ditës së sotme, rreth 4300 emigrantë priten të mbërrijnë në brigjet e Sicilisë.
 
Kombësia e deklaruar nga emigrantët në momentin e identifikimit në qendrat italiane të strehimit të refugjatëve është shumica rreth 20% nga Nigeria, 12% nga Eritrea, 7% nga Guinea, 6% nga Gamiba.
 
BELINDA KOKA-ADEMI