Botë

Fundi i “Xhunglës”, në kamp mbeten vetëm fëmijët e pashoqëruar

25.10.2016 12:32

Franca nisi fazën e dytë të shkatërrimit të kampit të emigrantëve në Calais, duke dërguar skuadra për të çmontuar strukturat e saj...

Më shumë se 2.300 emigrantë u larguan vullnetarisht nga “Xhungla” gjatë ditës së hënë, eksodi vazhdoi edhe përgjatë ditës së sotme, teksa qindra emigrantë u vendosën në radhë që në orët e para të mëngjesit.
 
“Xhungla” është kthyer në një simbol kyç të krizës së emigrantëve në Europë, ku rreth 7.000 persona jetonin në kushte të mjerueshme, të dëshpëruar për të kaluar kufirin dhe për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar.
 
Procesi i pastrimit të kampit ka qenë paqësor deri më tani, por ka ende shqetësime se disa emigrantë nuk do të pranojnë të largohen, duke refuzuar kështu të heqin dorë nga përpjekjet e tyre për të kaluar Kanalin.
 
I vetmi grup që do të lejohet të qëndrojë në Calais është grupi i fëmijëve, që do të strehohen në kontejnerët e konvertuar të kampit. 200 fëmijë të tjerë kanë mbërritur tashmë në Mbretërinë e Bashkuar.
 
Amendamenti lejon vajzat dhe fëmijët nën 13 vjeç të strehohen në Britani edhe nëse ata nuk kanë asnjë familjar në vend. Megjithatë, procesi i transferimit të rreth 1.300 fëmijëve të pashoqëruar nga kampi u ndal gjatë të hënës, me kërkesë të vetë francezëve.
 
Shkatërrimi i kampit është konsideruar si një sinjal për njerëzit që jetonin në “Xhungël” se shqetësimet e tyre po shqyrtohen seriozisht nga Qeveria franceze, teksa për ata të cilët nuk pranojnë të largohen, ky është sinjali se kampi nuk do të shërbejë më si një vendstrehimi për ta.
 
GAZMEND REXHEPI