Maqedoni
Dibër, Festivali i Teatrit shqiptar, shkëlqen “Kumanova” me komedinë e Molierit
25.10.2016 12:52
I takoi nderi mbrëmë Teatrit të Kumanovës të ngre siparin e edicionit të 15 të festivalit “Teatri shqiptar”, që po mbahet në Dibër...

Komedia “I sëmuri për mend” nga Molieri, erdhi në regji të Ahmet Jakupit, i cili bashkë me aktorët, solli një shfaqe të shekullit XVII, por që është aktuale edhe për realitetin tonë.
Aktorët kumanovarë sollën në mënyrë të shkëlqyer personazhet e Molierit, por që u ngjajnë shumë personazheve të jetës sonë të përditshme.
Molieri godet në komedinë e tij të fundit borgjezinë franceze dhe mjekët sharlatanë të kohës në të cilën jetoi, por regjisori Jakupi dhe aktorët e Kumanovës sollën një ambient mjaft të këndshëm dhe spektatorët arritën të portretizojnë ngjarje dhe personazhe aktualë.
Molieri me tekstin e tij, futet në të gjitha shtresat e kësaj borgjezie në zhvillim e sipër dhe godet aspektet e ndryshme negative që ai urren. Thelbi i komedisë është tallja me veset dhe marrëzinë njerëzore dhe mesazhi erdhi shumë aktual edhe për kohën në të cilën jetojmë.
Sonte në skenën e festivalit ngjitet trupa teatrore nga Prizreni me pjesën “Mbledhje në parlament”, nga autori Rey Cooney, me regji të realizuar nga Kaltrim Balaj.
Festivali është mbështetur financiarisht edhe nga komuna e Dibrës dhe përfaqësuesit e saj thanë se kultura duhet mbështetur gjithmonë, pasi festivale të tilla janë të rëndësishme në shkëmbimin e vlerave kulturore gjithëshqiptare. Drejtori i festivalit, Ylber Nuredini, potencoi se mirënjohja për sukseset e këtij festivali nuk i takon vetëm organizatorit, por edhe publikut të kulturuar dibran.
ATLI DEMA
