Maqedoni
Gjykimi kundër Grujovskit, Gjykata: do të caktohet gjatë këtyre ditëve
25.10.2016 15:27
Procesi gjyqësor ndaj ish shefit të Drejtorisë së 5-të në MPB, Goran Grujovski, dhe gjashtë të punësuarve të tjerë në këtë drejtori...

Procesi gjyqësor ndaj ish shefit të Drejtorisë së 5-të në MPB, Goran Grujovski, dhe gjashtë të punësuarve të tjerë në këtë drejtori, ende nuk dihet se kur do të mbahet.
Në 25 shtator ata u akuzuan nga Prokuroria Speciale Publike se në mënyrë joligjore kanë shkatërruar 2.047 shkresa zyrtare, prej të cilave 22 kishin të bënin me përgjimet joligjore.
Afati ligjor prej një muaji për caktimin e datës së gjykimit tashmë ka kaluar nga Gjykata Themelore - Shkupi 1, e cila thotë se gjykimi do të caktohet ditëve në vijim.
Fajin për moscaktim të datës deri tani ata e hedhin tek PSP, e cila kërkoi ndërrimin e gjykatëses së caktuar për rastin me arsyetimin se ishte një prej zërave të dëgjuar në të ashtuquajturat “bomba” të opozitës.
“PSP fillimisht kërkoi ndërrimin e gjykatëses, por kjo u refuzua nga Këshilli Gjyqësor. Më pas, PSP u ankua në Gjykatën e Apelit, por edhe ajo e hodhi poshtë kërkesën. Kjo procedurë mori kohën e caktuar dhe vendimi i Apelit na u kthye ne, e kjo do të thotë që procesi gjyqësor do të caktohet gjatë këtyre ditëve”,- thonë nga Gjykata Themelore.
Grujovski akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare, akuzë kjo për të cilën Kodi Penal parasheh dënim me burg prej pesë vjetësh.
