Maqedoni

Uniteti çon në kushtetuese vendimin për zgjedhje

25.10.2016 16:33

Partia Uniteti ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më 11 dhjetor...

Partia e Gëzim Ostrenit vlerëson se me këtë vendim po shkelet Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, pasi me shkeljen e pragut në njësinë zgjedhore gjashtë, vota e votuesve në këtë njësi vihet në pozicion të pabarabartë.
 
“Flasim për barazi të dy popujve dhe për barazi të të gjithë qytetarëve në shtet dhe derisa flasim për barabarësi të plotë, atëherë kjo iniciativë dëshmon edhe një herë se duhet të jemi të barabartë dy popujt më të mëdhenj në vend dhe të gjithë qytetarët e vendit”,- deklaroi Zulfi Adili nga Uniteti.
 
Adili thotë se nisma edhe pse dorëzohet nga Uniteti, ajo ka mbështetjen e koalicionit të promovuar pak ditë më parë me LR PDSh-në dhe RDK-në e Vesel Memedit.
 
Koalicioni do të marrë pjesë në zgjedhje pavarësisht epilogut të nismës në Gjykatën Kushtetuese.
 
“Uniteti do të shkojë në zgjedhje, e thashë pak më parë. Uniteti bëri koalicion parazgjedhor me dy subjekte tjera politike dhe ne jemi të gatshëm për zgjedhje dhe jemi të sigurt se këto zgjedhje do i fitojë ky koalicion”,- theksoi Zulfi Adili nga Uniteti.
 
Zgjedhjet parakohshme parlamentare të parapara me Marrëveshjen politike të Përzhinës, deri tani u shtynë dy herë për shkak të mosplotësimit të plotë të kushteve për zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike. Më 18 Maj, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e kryeparlamentarit për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të caktuara për më 5 qershor. Po atë ditë, Kuvendi u mblodh sërish, e ndryshoi Kodin Zgjedhor dhe i shtyu zgjedhjet.      
 
SHPËTIM NUREDINI