Maqedoni

Nedellkov: LSM është vënë në shënjestër të sulmeve politike, joreale paralajmërimet për rritje të pagës minimale

25.10.2016 17:06

Lidhja e Sindikatave ankohet se së fundmi është vënë në shënjestër të sulmeve politike...

Kështu pretendon kryetari i kësaj organizate, Jakim Nedelkov, sipas të cilit sulmet kanë për qëllim prishjen e unitetit dhe zvogëlimin e forcës së kësaj organizate sindikale.
 
Sulmet, sipas tij, janë përkrahur edhe nga disa media.
 
“Një parti e caktuar politike disa herë ka dalë në pres-konferencë që të përzihet drejtpërdrejti në punën e organizatës sindikale, duke paraqitur të pavërteta dhe spekulime. Kjo parti politike ishte e përkrahur edhe nga disa media të cilat në mënyrë selektive i kanë plasuar informacionet lidhur me deklaratat e LSM-së”,- deklaroi kryetari i LSM-së, Jakim Nedellkov.
 
Sipas tij, disa media kanë publikuar tekste me tituj bombastik në drejtim të pakënaqësisë së madhe të anëtarësisë ndaj udhëheqësisë së SLM-së dhe punës së kësaj organizate sindikale, apo largimin masiv të anëtarëve, që Nedellkov thotë se nuk është e vërtetë.
 
Por, Nedellkov i vlerësoi si joreale dhe tendencioze edhe prononcimet për rritjen e pagës minimale.
 
“Lecitimi me pagën minimale, që në të ardhmen do të caktohej në nivel nacional, me shuma tejet më të larta se mundësitë reale të shtetit, pa analiza të asaj rritje, mund të jetë e dëmshme lidhur me funksionimin e institucioneve, ndërmarrjeve, sidomos në sektorin privat, ku me obligimin për pagesën e pagesës minimale është e mundur që shumë subjekteve t’u vihet në pikëpyetje funksionimi i tyre, që do të thotë largime nga puna, mbyllje dhe zbrazje të buxhetit shtetëror, si dhe pamundësi për pagesën e rrogave në sektorin publik”,- tha kryetari i LSM-së, Jakim Nedellkov.      
                                             
Nedellkov paralajmëroi se Sindikata e Pavarur e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Lidhja e Sindikatave do t’u kundërpërgjigjen të gjitha sulmeve ndaj atyre që tentojnë të pengojnë punën e kësaj sindikate.
 
REJHANE BUSHI-METAJ