Maqedoni

Dorëzimi i materialeve të përgjuara, Murtezani: DSK kompetente për materialet

25.10.2016 17:16

Materialet e përgjuara janë kompetencë e DSK-së, por në mungesë të vullnetit dhe politizim të çështjes ky institucion refuzon t’ia dorëzojë Speciales...

Materialet e përgjuara janë kompetencë e DSK-së, por në mungesë të vullnetit dhe politizim të çështjes ky institucion refuzon t’ia dorëzojë Speciales, vlerëson magjistri i sigurisë, Hasim Murtezani.
 
Kështu Murtezani hedh poshtë arsyetimet se vetëm ekspert i kompanisë prodhuese të sistemit mund të nxjerrë materialet dhe askush tjetër.
 
Ai gjithashtu zgjidh dilemat se Ligji për Prokurori Speciale i mundëson Janevës të vëzhgojë, mbledhë dhe marrë të gjitha faktet e rëndësishme për hetimet.                              
 
“Nëse bëhet dorëzimi i atyre materialeve do të ishte një autogol, vetëvrasje apo dorëzim i ish udhëheqësisë së kësaj ministrie. Mjetet e dorëzuara nuk i posedon dhe nuk i përcjell ajo, pasi që është vetëm pronare që ka bërë shitjen apo dorëzimin e atyre mjeteve dhe të gjitha këto prova janë në kompetencë të Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim. Qasja e Katica Janevës në të gjitha institucionet duhet të jetë absolute, këtë ja garanton Ligji për Prokurori Speciale... Në rast se këto materiale nuk dorëzohen tek Prokuroria Speciale dhe Prokuroria Speciale nuk i dorëzon në Gjykatë dhe Gjykata të marrë vendime, do të kemi një humbje të kredibilitetit në sistemin e drejtësisë në Maqedoni dhe ky sistem i drejtësisë nëse humbet tek qytetarët mendoj se paraqet një rrezik potencial”- u shpreh magjistri i sigurisë, Hasim Murtezani.  
                                                                                            
Në DSK gjatë fundjavës nuk kishte hetues të Prokurorisë Speciale. Magjistri i sigurisë, Hasim Murtezani, nuk e përjashton mundësinë e fshirjes së materialeve, por jo edhe të gjurmëve.
 
Për dorëzimin sa më të shpejtë të materialeve, sipas Murtezanit, duhet të vijë në shprehje trysnia e ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovski.  
               
“Është si puna e mesazheve të cilat mund të fshihen nga telefoni, megjithatë sistemi i operimit apo sistemi i përgjimit i ruan edhe mesazhet e fshira. Edhe po të bëhet ndonjë keqpërdorim eventual, gjurmët do të ngelin. Mendoj se këtu duhet një ndërhyrje nga vetë ministri i Punëve të Brendshme, i cili ka kompetencë dhe sigurisht është në kompetencë të tij të detyrojë apo të kërkojë që materialet e kërkuara nga Katica Janeva t’i dorëzohen asaj”,- u shpreh magjistri i sigurisë, Hasim Murtezani.
 
Nuk përjashtohet edhe nevoja që ministri i Brendshëm të ndërrojë kreun e DSK-së që numrat e përgjuar të kalojnë në duar të Janevës për të zhvilluar hetimet e mëtejme, në të kundërtën do të ketë ngrirje të proceseve.
 
MERAL ISMAILI