Maqedoni
Subvencione për 23 kompani, vëmendja tek gratë sipërmarrëse dhe tek zejtaria
25.10.2016 17:37
23 kompani të profileve të ndryshme nga vendi fituan mjete financiare nga programi për konkurrencë...

23 kompani të profileve të ndryshme nga vendi fituan mjete financiare nga programi për konkurrencë, inovacione dhe sipërmarrësi nga Ministria e Ekonomisë.
Këtë vit ndihmat financiare janë me theks të veçantë për gratë sipërmarrëse dhe bizneset e mesme të zejtarisë.
“Edhe pse është një shumë simbolike, kjo përkrahje ndihmon kompanitë e vogla dhe të mesme, por edhe gratë sipërmarrëse në përgjithësi dhe kjo sjell deri te një barazi gjinore për shkak se edhe femrave u nevojitet ndihmë për të arritur deri diku”,- tha sipërmarrësja, Mila Kadriu.
“Unë vlerësoj se edhe në të ardhmen duhet punuar akoma më shumë në përkrahjen e grave sipërmarrëse dhe në zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, sepse mbi 70% e punësimeve në vend vijnë pikërisht nga bizneset mikro”,- u shpreh sipërmarrësja, Mellani Dimitrovska.
Ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi, vlerëson se bizneset mikro dhe të mesme janë krijues të rëndësishëm për rritjen e ekonomisë dhe të punësimeve në vend.
“Ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme marrin pjesë në ekonominë e vendit me 99.7% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve, duke absorbuar 75% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve, me çka konfirmojmë se janë pjesëmarrësit më të rëndësishëm në ekonominë e vendit në tërësi”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
Në kuadër të këtij programi, 12 kompani të zejtarisë u subvencionuan me nga 1 milion e 275 mijë denarë, 6 kompani për sipërmarrësi të grave me 1 milion e 990 mijë denarë dhe 6 kompani të tjera me rreth 1 milion denarë për Hallall dhe Hasap standardet e implementuara.
REXHEP QAMILI
