Maqedoni
Prokuroria e Zvrëlevskit, letër të hapur kundër Prokurorisë së Janevës
25.10.2016 17:51
Prokuroria Publike Themelore, që drejtohet nga Marko Zvërlevski, i ka dërguar letër të hapur prokurores speciale, Katica Janeva...

Prokuroria Publike Themelore, që drejtohet nga Marko Zvërlevski, i ka dërguar letër të hapur prokurores speciale, Katica Janeva, me të cilën e shprehin pakënaqësinë e tyre nga puna e saj dhe siç thuhet “joprofesionalizmi i turpshëm” i Janevës.
Prokuroria Publike Themelore gjithashtu thotë se Janeva nuk i respekton standardet juridike dhe as kodeksin e prokurorëve publik.
“Prokuroria ka për detyrë t’i ndjekë krimet sipas ligjeve dhe standardeve profesionale. Ne dhe ju duhet t’i respektojmë ligjet dhe institucionet, pasi që në duart tona janë fatet e njerëzve dhe jo të krijojmë klimë të mosrespektit të ligjeve dhe të bëjmë fushata politike, publikisht të gjykojmë njerëz dhe të shpallim fajtor dikë pa aktgjykim. Ne të gjithë jemi pjesë e sistemit gjyqësor, në të cilin, mes tjerash, nuk fle. Të rikujtojmë: jeto me nderë, mos i lëndo të tjerët, çdokujt jepja atë që i takon”,- thuhet në letrën e hapur të Prokurorisë Themelore.
Prokurorët publik e akuzojnë Katica Janevën se në paraqitjen e saj të fundit në opinion ka shpalosur të pavërteta dhe se detyra e tyre është që të sqarojnë publikun, por edhe të pengojnë përhapjen e të pavërtetave, duke shprehur kështu papajtueshmëri dhe mosmiratim.
Në letër nuk janë nënshkruar prokurorët të cilët qëndrojnë pas saj. Po ashtu Prokuroria Publike ka nisur procedurë kundër hetuesit të Prokurorisë Speciale, i cili të premten e ka fotografuar objektin, për të cilin ka pasur indikacione se është në pronësi të ish-kryeshefit të DSK-së, Sasho Mijallkov.
Prokuroria informon se në vendin ku gjendet objekti janë hasur dy persona. Njëri ka tentuar të arratiset kur policia ka kërkuar që të legjitimohen.
Sipas Prokurorisë Publike, ata nuk kanë pasur urdhëresë gjyqësore për masa të posaçme të hetimit, që mundëson ndjekjen dhe fotografimin e personit të dyshuar.
Vullnetarisht kanë shkuar për bisedë informative në stacionin policor “Qendër”, prej ku më vonë hetuesin e saj atë natë e mori prokurorja, Katica Janeva, duke bërë të ditur se ai ka vepruar sipas urdhrit të saj.
SANIJE DURAKU
