Shqipëri, pezullohet Ligji i Vettingut

25.10.2016 19:02

Ende pa hyrë mirë në fuqi, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë Ligjin e Vettingut....

Ende pa hyrë mirë në fuqi, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë Ligjin e Vettingut deri në momentin kur të japë një vendim pas shqyrtimit në themel të këtij ligji. Paraditen e kësaj të marte, Ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve iu nënshtrua testit të parë kushtetues në Gjykatë.

Trupa e Gjykatës Kushtetuese e zhvilloi seancën e parë në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve, dhe kishte në fokus kërkesën e Partisë Demokratike për pezullimin e efekteve të këtij ligji deri në përfundimin e shqyrtimit në themel.

Gjatë ditës së djeshme, Unioni i gjyqtarëve shqiptarë ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese që të regjistrohet si palë e interesuar në shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike për të shpallur antikushtetues Ligjin për rivlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Ligji i Vettingut u miratua në seancën e jashtëzakonshme të 30 gushtit vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita nuk u bë pjesë e procesit të votimit. Më 5 tetor, Partia Demokratike ankimoi këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, pasi, sipas saj, drafti bie ndesh me Ligjin themeltar të shtetit.

Ligji i Vettingut përbën procesin kyç të reformës në drejtësi, pasi parashikon skanimin e të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe sanksionon se të gjithë ata që nuk e kalojnë procedurën e rivlerësimit nuk mund të punojnë në sistemin e drejtësisë.

Ky ligj mjaft i rëndësishëm për reformën në tërësi ishte parashikuar të hyjë në fuqi më 7 nëntor. (Luljeta Ndoka, TVM2)