Hapet Panairi i librit “Tetova 2016”

25.10.2016 19:25

Në Tetovë filloi edicioni i 15-të i Panairit të librit “Tetova 2016”....

Në Tetovë filloi edicioni i 15-të i Panairit të librit “Tetova 2016”.

Në hapjen solemne të panairit u nënvizua roli në mbajtjen gjallë të traditës së leximit në këto hapësira. Panairi tanimë është shndërruar në një realitet tonin të përbashkët për librin dhe leximin si kulturë, theksoi në ceremoni kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Abdulxhemil Saliu.

“Panairi, një traditë tanimë e konsoliduar, nuk është vetëm një datë kalendarik apo promovim i librave dhe autorëve, por realiteti ynë i përbashkët kulturor, ku deri tani janë organizuar 15-të panaire në Tetovë, gjashtë në Shkup dhe katër në Çarshinë e Shkupit, katër në Strugë dhe tre në Gostivar. Ne të gjithë duhet të flasim më shumë për librin dhe leximin si kulturë dhe jo si masë”,- kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Abdulxhemil Saliu.

Drejtuesit e institucioneve theksuan se kushtet në të cilat është mbajtur ky panair jo gjithherë kanë qenë të mira, por duhet mbështetur pa rezervë ky panair i librit.

“Panairi i librit së bashku me festivalin “Ditët e Naimit” dhe me disa aktivitete tjera në fakt janë aktivitete të cilat dëshmojnë. Ajo që është më e rëndësishme dhe që pajtohem me parafolësit e mi është se përpos dëshirës, evenimenti i forcimit institucional i këtyre aktiviteteve gjithsesi ka rëndësinë e vet dhe i bën ato më të qëndrueshme”,- u shpreh kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

“Po shënohet një jubilar që radhë është shënuar në këtë Qendër të Kulturës, ai është ky event i 15 tashmë, ashtu edhe si e tha kryetari i Shoqatës Botuese, nuk kemi pasur një rrugë të shtruar me lule, kemi kaluar bashkë shumë sakrifica dhe me shumë problem”,- u shpreh drejtori i Qendrës për Kulturë, Haki Fazliu.

Panairi i Librit “Tetova  2016” organizohet tradicionalisht nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në Maqedoni dhe do të zgjasë deri më 29 tetor. (Visar Sadiki, TVM2)