Maqedoni

Tetova shënon ditën ndërkombëtare të librit

23.04.2014 18:04

Dita Ndërkombëtare e Librit, sot është shënuar edhe në qytetin e Tetovës, ku institucione të ndryshme arsimore dhe edukative kanë organizuar aktivitete të ndryshme...

Dita Ndërkombëtare e Librit, sot është shënuar edhe në qytetin e Tetovës, ku institucione të ndryshme arsimore dhe edukative kanë organizuar aktivitete të ndryshme.
 
Manifestimi qendror për Ditën e Librit u mbajt në Qendrën për Kulturë, ku Biblioteka e Tetovës kishte organizuar një konkurs letrar me poezi, ku pjesëmarrës kanë qenë nxënësit e të gjitha shkollave fillore të Tetovës.
 
“Në Tetovë, që në orën tetë të mëngjesit, ka filluar të shënohet Dita Botërore e Librit, duke shpërndarë nga një trëndafil çdo vizitori në bibliotekë dhe gjithashtu kemi dhuruar dhe nga një bluzë për fëmijët, me ç’rast në mesditë kemi pasur manifestimin kryesor tradicional me poezi, të përgatitura nga nxënësit e shkollave fillore të Tetovës dhe rajonit përreth, siç e shihni, nga viti në vit kemi adhurues dhe në mënyrë masovike nga nxënësit përcillet ky konkurs letrar, që është me shumë interes për nxënësit, por edhe për bibliotekën e Tetovës dhe këto janë anëtarët më të rinj të bibliotekës dhe që besoj se do t’i kemi në vazhdimësi”, deklaroi drejtoresha e Bibliotekës “Koço Racin” në Tetovë, Fitore Reshiti.
 
Aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Librit i është bashkangjitur edhe Këndi Amerikan në Tetovë.
 
“Këndi Amerikan në Tetovë ka kënaqësinë që edhe këtë vit t’i bashkohet manifestimit tradicional të bibliotekës së Tetovës, për të shënuar ditën e Librit, ku ne jemi këtu të shënojmë edhe një ngjarje tjetër, që në Amerikë muaji prill është shpallur si muaji i poezisë amerikane dhe gjatë këtij muaji në Amerikë, institucionet e ndryshme arsimore edukative, të mbështetura nga institucionet, mundohen të jenë në përkrahje, duke i trajnuar me teknika të ndryshme të trajtimit të poezisë dhe ne këtë frymë jemi munduar ta sjellim këtu dhe jemi të befasuar nga fëmijët, që talentin e tyre në poezi mundohen ta shprehin në forma të ndryshme”, tha koordinatori i Këndit Amerikan në Tetovë, Gëzim Sulejmani.
 
Njëherit në manifestimin qendror u ndanë cerfitikata për të gjithë nxënësit pjesëmarrës në konkursin letrar për poezi.
 
MIFTAR EMINI