Botë

Alepo, Rusia do të zgjasë moratoriumin

26.10.2016 11:07

Rusia paralajmëron se do të zgjasë moratoriumin e fushatës ajrore në Aleppo të Sirisë në ditën e nëntë...

Rusia paralajmëron se do të zgjasë moratoriumin e fushatës ajrore në Aleppo të Sirisë në ditën e nëntë, përkundër njoftimeve se sulmet ajrore kanë vazhduar në ditët e kaluara.

Një zyrtar i lartë në Ministrinë ruse të Mbrojtjes, Sergei Rudskoi, tha se Moska po e zgjat moratoriumin e filluar më 19 tetor, por nuk e tha se për sa kohë.

Rudskoi dhe zyrtarë të tjerë rusë thanë se Rusia dhe Siria, gjatë javës së kaluar, nuk kanë kryer sulme ajrore kundër rajoneve që mbahen nga opozita në Aleppo.

Por, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se sulmet ajrore rifilluan pas një pushimi nga luftimet më 22 tetor.

Nuk kishte viktima të sulmeve ajrore brenda Aleppos lindore, thotë monitoruesi.

Departamenti amerikan i shtetit i ka bërë thirrje Rusisë që të shfrytëzojë pushimin e ri të paralajmëruar për të siguruar shpërndarjen e ndihmave për qytetarët e rrethuar.