Botë
Afganistan, masakër e IS-it, ekzekutohen dhjetëra civilë
26.10.2016 12:08
30 persona u rrëmbyen dhe u ekzekutuan nga militantët e “Shtetit Islamik” në provicën Gor të Afganistanit...

Autoritetet afgane thanë se civilët dhe dy tufa me dele që ata zotëronin u rrëmbyen nga militantët, derisa mblidhnin dru zjarri në male.
Gjatë operacionit ushtarak për të çliruar pengjet u vra një prej komandantëve lokalë të “Shtetit Islamik” dhe në formë hakmarrjeje militantët e tjerë ekzekutuan civilët, mes të cilëve kishte edhe fëmijë.
Kjo masakër është një tjetër shenjë se “Shteti Islamik” ka hedhur baza edhe në Afganistan, ku po sfidon fuqishëm talebanët që janë kufizuar me kontrollin në lindje të vendit.
Talebanët dhe “Shteti Islamik” i shpallën luftë njëri-tjetrit në janar të vitit 2015 dhe që atëherë kanë pasur mjaft përballje mes tyre në Afganistan.
Autoritetet afgane duken të pafuqishme të përballen me këto grupe terroriste dhe “Shteti Islamik” po forcohet gjithnjë e më shumë në Afganistan, ku ka rekrutuar edhe disa komandantë talebanë që kanë shpallur besnikërinë e tyre ndaj këtij grupi terrorist.
BELINDA KOKA-ADEMI
