Botë

Gjykanoviq: Rusia ishte e përfshirë në puçin në Mal të Zi

26.10.2016 12:39

Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka shprehur dyshime se Rusia ishte e përfshirë në puçin e ditës së zgjedhjeve...

Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka shprehur dyshime se Rusia ishte e përfshirë në puçin e ditës së zgjedhjeve, duke akuzuar opozitën për bashkëpunim me Kremlinin dhe disa orë pas kësaj deklarate ka dhënë dorëheqje.

Gjukanoviq tha se ishte një “lidhje e fuqishme e një faktorit të jashtëm” me votimet e 16 tetorit, që u shënua me arrestimin e 20 personave të dyshuar për planifikim të sulmeve të armatosura ndaj Gjukanoviq dhe mbështetësve të tij, pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare.

Në mesin e të arrestuarve në puç ishte edhe ish komandanti i forcave speciale të Serbisë. Gjukanoviq tha se autoritetet do të hetojnë shkallën e përfshirjes në puçin e pretenduar të Rusisë dhe të Serbisë.

“Nuk duhet të ketë panik. Do t’i gjejmë faktet”, tha Gjukanoviq.

Zyra e prokurorit të Malit të Zi ka pretenduar se grupi i arrestuar ka planifikuar të sulmojë qytetarët përballë Parlamentit, pasi të jenë shpallur rezultatet e zgjedhjeve dhe pastaj të hyjë në ndërtesë dhe ta arrestojë Gjukanoviqin.

Rusia ka kundërshtuar fuqishëm përpjekjet e Gjukanoviqit që t’i bashkohet NATO-s dhe Bashkimit Europian, ndërkohë që liderët opozitarë kanë zhvilluar vizita të shpeshta në Moskë në prag të votimeve.

Ndryshe, Kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve, që fitoi zgjedhjet në Malin e Zi, ka mbajtur mbrëmë seancën, e cila caktoi si mandatar për formimin e qeverisë së ardhshme zëvendëskryetarin, Dushko Markoviç.

Kjo do të thotë se kryeministri i ardhshëm malazez do jetë Markoviç, pas 25 vitesh udhëheqje të kryeministrit Gjukanoviq.